Situata me zjarret mbetet ende problematike në vendin tonë. 20 vatra zjarri janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit. 4 prej tyre vijojnë të jenë ende aktive.
Në zonën e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar të Lurës janë dy vatra zjarri, njëra po zhvillohet në drejtim të Lurës, ndërsa tjetra nga krahu i Malit të Dejës.
Në zonën e “Malit të Peladhisë”, pjesë e Bashkisë Bulqizë është aktive një tjetër vatër zjarri e zhvendosur në lartësinë mbi fshatin Krajkë, e cila është në terren të vështirë.
Në fshatin Drenovë, bashkia Mallakastër, vijon aktive vatra e zjarrit të rënë në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe pyll pishe, midis kufirit ndarës të fshatit Drenovë, Belishovë, dhe fshatit Gorishovë.
Në fshatin Borsh, bashkia Himarë, mbrëmjen e së premtes vatra e zjarrit është riaktivizuar. Gjatë natës efektivët kanë qëndruar në vendngjarje për të monitoruar situatën, por mëngjesin e së shtunës vatra e zjarrit është riaktivizuar përsëri, në një sipërfaqe me shkurre pranë banesave, e cila vështirëson ndërhyrjen, pasi është terren i vështirë.
52 hektarë me shkurre dhe bimësi, si dhe rreth 90 rrënjë ullinj janë djegur si pasojë e zjarreve që kanë përfshirë vendin tonë në 24 orët e fundit.
Për shuarjen e zjarreve u angazhuan 32 automjete zjarrfikëse dhe 275 forca operacionale.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile iu bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve që të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të njoftojnë menjëherë shërbimet emergjente në rast se konstatojnë një vatër zjarri./tch/
Burimi: botasot.info


