Pas një nate dramatike me flakë që rrezikuan qytetin, Delvina zgjohet nën pasojat e një prej zjarreve më të mëdha të viteve të fundit.
Një natë tmerri për qytetarët e Delvinës, teksa një zjarr masiv përfshiu zonën kodrinore në afërsi të qytetit, duke u përhapur me shpejtësi për shkak të erës dhe terrenit të vështirë.
Forcat zjarrfikëse të bashkive të jugut, njësi të specializuara nga Tirana, ushtria si dhe banorët vendas luftuan pa pushim për të shmangur përhapjen e flakëve drejt qytetit.
Falë ndërhyrjes së tyre, zjarri u shmang nga zonat e banuara, por vatrat mbeten aktive në malësinë pranë fshatit Kakodhiq, zona nga ku besohet se nisi zjarri.
Nga tymi i dendur dhe përhapja e flakëve, rreth 10 persona kërkuan ndihmë mjekësore gjatë natës, katër prej tyre ishin pjesëtarë të forcave të ushtrisë.
Ata u trajtuan në ambientet e Kinoteatrit të qytetit, i cili u kthye përkohësisht në qendër mjekësore emergjente. Për momentin, situata në qytet është nën kontroll, por autoritetet janë në gatishmëri pasi kushtet atmosferike mund të favorizojnë riaktivizimin e flakëve.
Ekipet zjarrfikëse dhe ushtria vijojnë punën në terren për të izoluar plotësisht vatrat që mbeten në zonën malore të Kakodhiqit.
Burimi: botasot.info


