Miratimi me 85 vota i reformës territoriale zhvendosi përplasjen PS-PD në komisionet parlamentare, ku Ina Zhupa dhe Erion Malaj debatuan për votën e socialistëve. Zhupa akuzoi mazhorancën se iu bind vendimit politik, ndërsa Malaj iu përgjigj se PS tregoi unitet në votim.
Debati dhe përplasjet politike për reformën territoriale, që parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46, vijuan në komisionet parlamentare.
Miratimi me 85 vota i draftit të Partisë Socialiste, në seancën maratonë të së enjtes, u bë pjesë e debatit edhe në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën.
Demokratja Ina Zhupa, sulmoi kolegët socialistë, duke iu kujtuar se disa prej tyre kishin shprehur rezerva për hartën e re territoriale, por në fund iu bindën vendimit politik dhe e votuan atë.
Përgjigjja erdhi nga nënkryetari i Komisionit dhe numri dy i Grupit Parlamentar të PS-së, Erion Malaj.
Sipas Malajt, 85 votat nuk ishin surprizë, por dëshmi e një grupi parlamentar kompakt në mbështetje të reformës.Përplasja u zhvendos më pas te tensionet që shoqëruan votimin në sallën e Kuvendit, ku deputetë të opozitës hodhën vezë dhe shishe uji në drejtim të mazhorancës.
Burimi: botasot.info


