29
Shkup, 31 dhjetor – Edhe në këtë fundvit kandidatët po vazhdojnë fushatën për zgjedhjet lokale dhe po tentojnë t’i bindin qytetarët për të përkrahur ata më 11 janar. Kandidati i Koalicionit VLEN për Komunën e Gostivarit, Nevzat Bejta gjatë ditës ka akuzuar dyshen, Taravari-Limani për harxhim të mjeteve dhe moszbukurimin e qytetit të Gostivarit.
Sipas Bejtës, vitin 2025-së, qytetarët e Gostivarit do ta mbajnë mend si vit të vjedhjes dhe hajnisë.
NEVZAT BEJTA, KANDIDAT I VLEN-IT PËR GOSTIVARIN
“Gjatë qeverisjes së Arben Taravarit për zbukurimin e qytetit janë harxhuar qindra-mijëra euro. Qyteti ka mbetur i pa zbukuruar. Të njëjtën rrugë e ka vazhduar edhe nxënësi i tij, Valbon Limani. Ka harxhuar mbi 100 mijë euro për zbukurimin e qytetit për vitin e ri qytetarët e shohin se qyteti është i pa zbukuruar. Viti 2025-së do të mbahet mend si vit i vjedhjes dhe shkatërimit të Gostivarit”
Fushatën e ka vazhduar edhe Valbon Limani kandidat i AKI-së, i cili së bashku me kryetarin e Këshillit Komunal, Valdet Xhaferi ka vizituar disa lokacione të ndryshme të qytetit ku ka takuar dhe bashkëbiseduar me qytetarët.
VALBON LIMANI, KANDIDAT I AKI-SË PËR GOSTIVAR
“Në këto orë feste ishte kënaqësi që së bashku me Kryetarin e Këshillit z. Valdet Xhaferi dhe të rinjtë e AKI-it, të vizitonim Qendrën e Qytetit dhe Tregun e Gjelbër e të shkëmbenim urime e energji pozitive me njerëzit që takuam aty”.
Veç në Gostivar, fushata ka vazhduar edhe në Vrapçishtë ku kandidati i pavarur, Zulhajrat Demiri i mbështetur nga VLEN dhe ASH-ja e Selës ka vizituar fshatin Gjurgjevishtë.
Pas takimit Demiri ka thënë se ky fshat meriton shumë e më shumë sepse pretendon se komuna aktualisht e ka fshirë nga lista fshatin në fjalë dhe nuk ka bërë asgjë për banorët e kësaj zone.
ZULHAJRAT DEMIRI, KANDIDAT I PAVARUR PËR VRAPÇISHTË
“Shpalosa platformën time dhe para të banorëve u zotova se ky fshat në të ardhmen do të jetë në agjendën time dhe të komunës së Vrapçishtit. Harresa dhe lënja pas dore e këtij fshati do të jetë një e kaluar e zymtë për banorët e këtij fshati. Ky fshat meriton shumë e më shumë nga ajo që është bërër deri tani (aspak), prandaj ne këtë fshat do e ringjallim dhe do e rivitalizojmë ashtu siç e meriton kjo pjesë e malësisë sonë”.
Ndërkaq, në vazhdën e fushatës, kundërkandidati i Demirit, Isen Shabani ka shpërndarë disa fotografi nga fshati Gradec ku punohet në asfaltimin e rrugës, me mbishkrimin se atë që e ka premtuar sa ishte kryetar komune, sot po bëhet realitet.
ISEN SHABANI, KANDIDAT I AKI-SË PËR VRAPÇISHTË
“Ajo që kemi premtuar, sot po bëhet realitet – ka nisur asfaltimi i rrugës Deralla në Gradec. Një premtim i mbajtur dhe një hap konkret drejt përmirësimit të infrastrukturës dhe jetës së përditshme të qytetarëve. E gëzofshi me shëndet!
Zgjedhjet e 11 janarit janë zgjedhje të përsëritura për shkak se në komunat Gostivar, Vrapçishtë, Mavrovë Rostushë dhe Qendër Zhupë dështuan zgjedhjet lokale të tetorit. Fushata vazhdon edhe në Komunat Mavrovë dhe Rostushë po edhe në Qendër Zhupë megjithatë, vëmendja e partive politike shqiptare është në Gostivar dhe Vrapçishtë. /SHENJA/


