Zëdhënësja e Qeverisë, Venera Azizi, njoftoi se Qeveria ka marrë vendim për uljen e TVSH-së për derivatet e naftës nga 18% në 10%, duke e cilësuar këtë si një masë në mbështetje të drejtpërdrejtë për qytetarët dhe bizneset.
“Sot si Qeveri morëm një vendim të rëndësishëm për çdo familje dhe çdo biznes në vend, uljen e TVSH-së për derivatet nga 18% në 10%. Kjo nuk është vetëm një masë ekonomike, është një veprim i drejtpërdrejtë për të mbrojtur standardin jetësor të qytetarëve tanë”, ka thënë Azizi.
Sipas saj, me stabilizimin e çmimeve të karburanteve synohet të zbutet ndikimi i krizës globale dhe të parandalohet rritja e kostos së jetesës.
Azizi gjithashtu ka thënë se mesazhi i Qeverisë është i qartë, institucionet janë në anën e qytetarit dhe do të vazhdojnë me masa konkrete për përmirësimin e standardit jetësor dhe ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme.


