Zbardhet dinamika e arratisjes së Altin Ndocit këtë të martë nga Spitali Infektiv i Durrësit, ku kishte shkuar për të kryer disa vizita mjekësore.
Sipas raportimeve, ai kishte shkuar në spital bashkë me një të paraburgosur tjetër dhe shoqëroheshin në total nga 5 efektivë policie, ndërsa dy qëndronin në furgon poshtë spitalit.
Në një moment, Ndoci ka kërkuar që të shkonte në tualet dhe është shoqëruar nga dy efektivë. Sapo ka dalë nga tualeti, ai i ka goditur dy efektivët në pjesën e barkut dhe i ka shtyrë duke i larguar me shpejtësi nga kati i tretë i spitalit.
Ngjarja dyshohet të ketë qenë e planifikuar, pasi jashtë spitalit të paraburgosurin e priste një makinë, një Audi e bardhë në pjesën e parkimit, me të cilën u larguan.
Pas arratisjes së Ndocit, zinxhiri komandues i burgut të Durrësit u pezullua nga detyra. Në total u pezulluan 10 persona, mes të cilëve drejtori i burgut të Durrësit, Indrit Cerloj, zëvendës drejtori si edhe mjeku i burgut.
Njoftimi i Drejtorisë së Burgjeve për arratisjen e Ndocit:
Paraburgosuri Altin Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore. Të gjitha procedurat mjekësore janë zhvilluar në repartin e infektivit, i cili ka repartin e sigurisë për të dënuarit.
Pavarësisht ndërhyrrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga spitali. Strukturat përkatëse janë vënë menjëherë në lëvizje dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Dyshohet për 4 vrasje
Altin Ndoci u arrestua në korrik 2020 gjatë operacionit “Plumbi i Artë”, si i dyshuar për vrasjen e 4 personave, fillimisht dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhiaj në Durrës dhe ekzekutimin e dy personave të tjerë 2020 Anxhelo Avdija dhe Dorian Shkozën.
Por me 2 prill 2024, Gjykata e Posaçme pushoi të gjitha akuzat ndaj Altin Ndocit, përfshirë edhe dyshimi për vrasjen e Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdija, duke e shpallur të pafajshëm atë. Ishin dëshmitë e të arrestuarit, Klevis Alla, i cili e përfshiu Altin Ndocin në këto 4 vrasje por Gjykata e Posaçme nuk u bind nga këto dëshmi ç’ka bëri që të marrë pafajësinë.
Nga ana tjetër, për vrasjen e dy vëllezërve Haxhia, Gjykata e posaçme dënoi me 25 vite burg Klevis Allën. Megjithëse Altin Ndoci fitoi pafajësinë në vitin 2024 ai nuk mundi të dalë nga burgu, pasi SPAK ka ngritur akuza të tjera kundër tij, pas dëshmive të Nuredin Dumanit, i cili e përfshin në disa ngjarje të rënda.
Në dëshmitë e dhëna në SPAK nga i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, Klevis Alla dyshohet si pjesëmarrës në vrasjen e Andi Zylyfit dhe plagosjen e Ardit Uruçit kryer në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”.
Gjithashtu Ndoci mbahej në burg edhe për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, shpërthyese dhe i municionit”, e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”.
Burimi: botasot.info


