zafir berisha akuzon be ne per heshtje ndaj kenges nacionaliste serbe marta kos po tregohet e bute me serbine 6afaba229a7e9

Zafir Berisha akuzon BE-në për heshtje ndaj këngës nacionaliste serbe: Marta Kos po tregohet e butë me Serbinë

November 16, 2026
min lexim

Berisha kërkon reagim nga komisionarja evropiane pas interpretimit të këngës me pretendime territoriale ndaj Kosovës në Forumin për Zgjerim, ndërsa rikthen edhe pretendimet e publikuara në Slloveni për lidhjet e saj të mundshme me ish-shërbimin sekret jugosllav.

Ish-deputeti Zafir Berisha, përmes një postimi në Facebook, e ka cilësuar si skandal interpretimin e këngës nacionaliste serbe në Forumin për Zgjerim të Bashkimit Evropian, duke kritikuar heshtjen e komisionares Marta Kos dhe të zyrtarëve të tjerë evropianë.

Sipas tij, mungesa e reagimit përbën “një ledhatim të tepruar ndaj Serbisë” dhe një kambanë alarmi për Kosovën, e cila, siç pretendon Berisha, u mjaftua vetëm me reagimin e ambasadorit të saj në Bruksel. Ai ka ngritur pikëpyetje për qëndrimin e Marta Kos, duke e pyetur pse nuk reagon për një provokim të tillë, ndërkohë që, sipas tij, ajo shpesh jep udhëzime për zhvillimet brenda Kosovës.

Ai ka kritikuar gjithashtu udhëheqjen politike në Kosovë, duke thënë se vendi po përballet me rreziqe serioze gjeopolitike, të cilat, sipas tij, nuk po kuptohen sa duhet nga politikanët. Në fund, Berisha thekson se Kosovës nuk i duhen leksione nga Evropa, por aleatë që mbrojnë të vërtetën, sovranitetin dhe integritetin territorial të saj.

Postimi i plotë: 

Provokimi me këngë nacionaliste serbe, përmes të cilave shprehen pretendime territoriale ndaj shtetit të pavarur të Kosovës, në një ngjarje të nivelit të Forumit për Zgjerim të Bashkimit Evropian, të organizuar nën udhëheqjen e komisionares Marta Kos, është një skandal që nuk mund të kalojë në heshtje.

Heshtja e kësaj të fundit dhe e faktorëve të tjerë të BE-së përballë këtyre provokimeve përbën një ledhatim të tepruar ndaj Serbisë dhe një kambanë alarmi për Kosovën, e cila fatkeqësisht u mjaftua vetëm me reagimin e ambasadorit të saj në Bruksel.

Pse nuk reagon Marta Kos, e cila, sa herë që bëhet fjalë për ndonjë zhvillim në Kosovë, përpiqet të na tregojë se si duhet të jetojmë, kur duhet të hamë, kur të flemë e kur të zgjohemi?

Ndërkohë, për vetë Marta Kos-in ekziston një çështje që ka ngjallur debat në Slloveni dhe më gjerë.

Autori slloven Igor Omerza botoi librin Komisarka (Komisarja), në të cilin pretendon se disponon dokumente të ish-shërbimit sekret jugosllav, BIA-së, pasardhëse e UDBA-s, që sipas tij dëshmojnë për një bashkëpunim të mundshëm të Marta Kos me këtë shërbim.

Sipas dokumenteve të paraqitura nga autori, ky bashkëpunim pretendohet se ka filluar gjatë viteve ’80 dhe ka vazhduar edhe gjatë periudhës kur ajo punonte në Gjermani për Deutsche Welle.

Po ashtu një hulumtim i gazetës sllovene Reporter, i publikuar në shtator të vitit 2024, raportonte se emri i saj figuron në një evidencë të UDB-së me numrin 0014000—05448.

Këto dyshime nuk kërkojnë vetëm sqarime, por rrezerva të mëdha në misionin e saj që mundet me qenë djallëzor për Kosovën.

Kosova, fatkeqësisht në këtë periudhë tejet delikate të zhvillimeve gjeopolitike, ka mbetur në duart e infantilëve politikë, të cilët nuk po arrijnë ta kuptojnë seriozitetin e rreziqeve me të cilat po përballet shteti ynë.

Pasojat e kësaj papërgjegjësie politike mund të jenë të rënda, ato nuk do t’i vuajmë vetëm ne, por edhe gjeneratat që vijnë pas nesh.

Kosova nuk ka nevojë për leksione nga Evropa, por për aleatë që e mbrojnë të vërtetën, sovranitetin dhe integritetin e saj territorial.

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

izraeli vret komandantin e hamasit te perfshire ne planifikimin e sulmit te 7 tetorit 6afa4a00858e1
Lajmi i mëparshëm

Izraeli vret komandantin e Hamasit të përfshirë në planifikimin e sulmit të 7 tetorit

shqiperia shkelqen ne ligen e kombeve duka nje edicion fantastik 6afaba7c14011
Lajmi i radhës

​Shqipëria shkëlqen në Ligën e Kombeve, Duka: Një edicion fantastik

Të fundit nga

ShkoLartë