Zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Valentin Manasievski, pretendon se kredia prej 5 milionë eurosh, e dhënë nga Alta Banka e Beogradit për një kompani në pronësi të krushkut të Ali Ahmetit, dëshmon interesimin e pushtetit të mëparshëm të LSDM-së dhe BDI-së për hyrjen e kësaj banke në tregun maqedonas.
Në një konferencë për media, Manasievski tha se tashmë bëhet më e qartë pse ish-ministri i Financave, Fatmir Besimi, në Qeverinë e udhëhequr nga LSDM dhe BDI, e kishte hapur çështjen e Alta Bankës në seancën qeveritare të 24 tetorit 2023.
“Firma ‘AS Senjak’, në pronësi të krushkut të Ahmetit, është kompania që ka marrë kredi prej 5 milionë eurosh nga Alta Banka e Serbisë. Kjo kompani është e njohur në Maqedoni edhe si partnere e Drin Ahmetit, nipit të Ali Ahmetit, në blerjen e ‘Soravia’. Në gjithë këtë proces, LSDM-ja vepron si ndërmjetësuese”, deklaroi Manasievski.
Ai ngriti gjithashtu pyetjen se pse LSDM-ja kishte heshtur për atë që e cilësoi si bashkëpunim mes BDI-së, Davor Macurës dhe Alta Bankës. Sipas tij, pushtetit të atëhershëm i interesonte të qëndronte sa më gjatë në qeveri.
Burimi: alfax.mk


