Komisioni i Mbrojtjes Civile në qarkun e Vlorës është mbledhur sot në Prefekturë, në një takim urgjent të thirrur për shkak të reshjeve të dendura të pritshme gjatë ditëve në vijim.
Qëllimi i mbledhjes ka qenë vlerësimi i masave të marra deri tani dhe përcaktimi i detyrimeve konkrete për çdo institucion, për të garantuar reagim të shpejtë dhe të koordinuar në rast përkeqësimi të situatës.
Prefektja e Vlorës, Evis Alushi, u ka bërë thirrje të gjitha strukturave që të qëndrojnë në gatishmëri të plotë.
Sipas të dhënave të fundit nga Mbrojtja Civile dhe shërbimet hidrometeorologjike, njësia administrative Novoselë paraqet rrezikun më të lartë, pasi prurjet e lumit Vjosa pritet të rriten ndjeshëm, duke shtuar mundësinë që lumi të dalë nga shtrati.
Autoritetet lokale dhe strukturat e emergjencave po monitorojnë situatën në terren, ndërsa qytetarët këshillohen të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të shmangin zonat me risk.
Burimi: botasot.info


