Sot, opinionin publik e tronditën informacionet për lidhjet financiare mes kompanive të afërta me rrethin familjar të Ali Ahmetit dhe Alta Bankës së Beogradit. Këto zhvillime ngrenë pikëpyetje serioze për rolin e BDI-së, ish-ministrit të Financave Fatmir Besimi dhe transaksionet që kërkojnë përgjigje urgjente.
Në vitin 2023, me propozimin e Fatmir Besimit, atëherë ministër i Financave, Qeveria e LSDM-së dhe BDI-së i dha miratim Zyrës së Avokatit të Shtetit të vepronte lidhur me shitjen e aksioneve shtetërore në Stopanska Banka Bitola, e cila më pas u ble nga Alta Banka.

Ndërkohë, kompania AS Senjak, për të cilën në opinion janë ngritur pretendime për lidhje familjare me Ali Ahmetin, rezulton të jetë përfshirë në disa transaksione që kërkojnë hetim të plotë: në tetor 2024 fitoi aksione në Stopanska Banka Bitola, në qershor 2025 një kompani ku është bashkëpronare mori kredi prej 5 milionë eurosh nga Alta Banka, ndërsa në shtator 2025 aksionet e saj në këtë bankë iu shitën pikërisht Alta Bankës.
Ali Ahmeti dhe BDI-ja duhet të përgjigjen: çfarë lidhjesh kanë me pronarin e AS Senjakut dhe a kanë qenë në dijeni për këto transaksione? Edhe roli i Fatmir Besimit në vendimet e vitit 2023 duhet të shqyrtohet nga organet kompetente.
Për vite me radhë, BDI-ja e përdori patriotizmin si mburojë politike. Sot, kur shtrohen pyetje për marrëdhëniet financiare me botën e biznesit serb, në vend të përgjigjeve zgjedh të sulmojë për çështjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe dhe përfaqësimin e drejtë.
Por për gjuhën shqipe dhe të drejtat e shqiptarëve ka kush kujdeset. VLEN-i po i zgjidh këto çështje përmes ligjit dhe vendimeve konkrete. Provimi i jurisprudencës në gjuhën shqipe po bëhet realitet, ndërsa BDI-ja nuk mund ta përdorë këtë arritje si pretekst për t’iu shmangur pyetjeve për Alta Bankën.
VLEN kërkon që Prokuroria të hetojë të gjitha transaksionet dhe rolin e personave të përfshirë. Patriotizmi nuk mund të shërbejë si mburojë për interesa private. Shqiptarët meritojnë përgjigje, jo heshtje dhe diversion politik.

