Nëse ka një gjë që shqiptarët nuk e kanë harruar, ajo është Ballkani i Hapur. Nuk e kanë harruar kush e promovonte, kush e mbronte dhe kush ishte i gatshëm ta sakrifikonte edhe interesin e Kosovës për një projekt të Aleksandar Vuçiqit.
Të gjitha partitë që sot përbëjnë VLEN-in kanë qenë kundër Ballkanit të Hapur. Ne kemi mbështetur Procesin e Berlinit, integrimin evropian dhe bashkëpunimin rajonal që nuk e përjashton Kosovën dhe nuk e vendos rajonin nën hijen politike të Beogradit.
Ndërsa BDI-ja e Ali Ahmetit ishte në anën tjetër. Dhe sot, kur flasim për ndikimin serb, është koha t’ua kujtojmë shqiptarëve se kush i ka hapur dyert dhe kush mban përgjegjësi për vendimet e asaj kohe.
BDI-ja na paska lënë një trashëgimi të tërë, por tani kërkon t’ua ndërrojë prindërit projekteve të veta politike!
Alta Banka e Beogradit? Nuk është kopil, baballarët politikë i ka te BDI-ja, te ministrat e saj që propozonin dhe votonin vendimet qeveritare për bashkëpunimin me këtë bankë.
11 takimet në Beograd? As ato nuk janë kopil! Babën politik e kanë Bujar Osmanin, i cili si ministër i Jashtëm ndërtoi një agjendë të dendur takimesh me zyrtarët serbë. Le të tregojë çfarë interesash i shërbenin këto takime dhe çfarë përfitoi vendi prej tyre.
MTEL-i serb? As ky nuk është kopil! Hyrja e tij në treg ndodhi në kohën kur BDI ishte pjesë e pushtetit. Përgjegjësia politike për atë periudhë nuk mund të fshihet.
Daka Davidoviqi dhe projekti në Jelak të Tetovës kanë po ashtu baballarët e tyre, Teuta Arifin dhe BDI-në. Në kohën kur drejtonin komunën, për pak sa nuk e bënë Tetovën pashallëk privat të këtij biznesmeni serb të listës së zezë amerikane.
Projektet infrastrukturore me Serbinë? Edhe këto kanë autorë politikë. Ejup Rustemi dhe BDI-ja, me promovimet e projekteve infrastrukturore përkrah Ana Brnabiqit. Fotografitë dhe paraqitjet publike të asaj kohe nuk mund t’i fshijë propaganda e sotme.
Po Onishçenko? As nënshtetësia e tij nuk ra nga qielli! Oligarkut ruso-ukrainas të listës së zezë amerikane iu hap dera dhe iu dha nënshtetësia kur BDI-ja ishte në Qeveri. Edhe ky vendim i ka baballarët e vet politikë.
Pra, Ali Ahmeti, kur të flasim për këto projekte, mos kërko kopila! Secili ka baballarët e vet politikë. Alta Banka, MTEL-i, projektet me biznesmenët serbë dhe agjenda e Beogradit nuk janë krijuar nga VLEN-i. Janë pjesë e trashëgimisë politike të BDI-së!
Dallimi është i qartë: VLEN-i ishte kundër Ballkanit të Hapur dhe për Procesin e Berlinit. BDI-ja ishte promotore e Ballkanit të Hapur dhe e politikës së afrimit me Beogradin.
Për interesa të një grushti njerëzish, Kosova u la jashtë një projekti që kishte pasoja të qarta politike dhe strategjike për shqiptarët. Sot nuk mund të na shisni patriotizëm të vonuar, duke u munduar të na faturoni vendimet tuaja.
Ali Ahmeti, mjaft më! Mos u përpiq t’ua mohosh atësinë politike vendimeve që i ke mbështetur për vite me radhë. Mos e turpëro edhe më shumë veten dhe BDI-në.
Jep dorëheqje dhe pensionohu nga politika! Shqiptarët meritojnë përgjegjësi për 22 vitet tuaja në pushtet, jo ligjërata patriotizmi nga ata që sot përpiqen të ikin nga e kaluara e tyre.
Burimi: alfax.mk


