2
Shkup, 25 qershor – Kur mbi 6000 qytetarë aplikojnë për vetëpunësim brenda një thirrjeje të vetme qeveritare, kjo nuk është thjesht një shifër statistike është shprehje e një dinamike të re shoqërore dhe ekonomike, ku individi synon të marrë në dorë fatin e tij përmes iniciativës, kreativitetit dhe punës së ndershme. Kjo ka qenë nevojë e kamotshme dhe mënyrë e vetme për ta ndalë hovin e ikjes së të rinjve nga vendi. Ata nuk kërkonin shumë, një shtet të drejtë, punë dhe perspektivë për të ardhmen, njëra nga këta elementet bazike është në proces e sipër të realizimit përmes kësaj qasjeje, shkruan Zhurnal.
Procesi i punësimit me hapa të mbarë –
Programi i fundit për vetëpunësim, i mbështetur nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës në bashkëpunim me Agjencinë për Punësim të Maqedonisë së Veriut, është më shumë se një mekanizëm mbështetës financiar. Ai është një deklaratë politike për kthesën që vendi po merr drejt një ekonomie të bazuar në ndërmarrësi, vetëbesim dhe inovacion.
“Qeveria është krah për krah me qytetarët e saj me ata që kanë ide, kurajë dhe vizion për të sjellë ndryshim në jetën e tyre dhe në komunitet,” ka shkruar ministri Besar Durmishi, duke nënvizuar rëndësinë e kësaj nisme.
Ky numër i lartë aplikimesh është tregues i disa tendencave pozitive:
Rritja e besimit qytetar ndaj institucioneve publike, të cilat për një kohë të gjatë janë parë si burokraci të largëta dhe joefikase. Riorientimi i shoqërisë drejt punës dhe prodhimit, në vend të pritjes pasive për punësime shtetërore ose migrim ekonomik. Fuqizimi i iniciativës individuale dhe rritja e kulturës së sipërmarrjes, veçanërisht në mesin e të rinjve dhe grave dy kategori shpesh të margjinalizuara në tregun tradicional të punës.
Në këtë kontekst, vetëpunësimi nuk është vetëm zgjidhje individuale për papunësinë, por një instrument zhvillimi që nxit barazi sociale, decentralizim ekonomik dhe ringjallje të zonave periferike.
Qeveria ka dërguar një sinjal të qartë se nuk mjafton të krijohen fonde, por se është i nevojshëm një ekosistem funksional mbështetës për bizneset e reja nga trajnimet dhe mentorimi, deri te lehtësimi i qasjes në treg dhe digjitalizimi.
“Ky interes i madh është dëshmi e fryteve të para të reformave të ndërmarra dhe i përkushtimit të institucioneve për të qenë pranë qytetarëve që ndërmarrin hapa të guximshëm drejt vetërealizimit,” theksoi ministri Durmishi.
Vetëpunësimi gjithashtu ka një efekt zinxhir çdo ide biznesi që kthehet në realitet, mund të krijojë vende të reja pune, të gjenerojë të ardhura në komunitet, të mbajë të rinjtë në vend dhe të kontribuojë në zhvillimin e një ekonomie gjithëpërfshirëse dhe moderne, që nuk varet nga sektorë të pakët apo investime të huaja afatshkurtra.
Por, suksesi afatgjatë i këtij transformimi varet nga vazhdimësia e politikave, monitorimi i rregullt i rezultateve dhe krijimi i kushteve që nismat individuale të mos mbeten të izoluara apo të dështuara për mungesë mbështetjeje strukturore. Është momenti i duhur që shteti të pozicionohet si partner i qëndrueshëm i qytetarit jo si sponsor, por si katalizator i potencialit të tij. Nëse ky ritëm mbahet, atëherë mund të themi me bindje se një shtet i ri po lind me qytetarë që nuk presin, por veprojnë. Me qytetarë që nuk ikin, por ndërtojnë. Dhe ky është revolucioni më i thellë që një shoqëri mund të përjetojë. /Zhurnal.mk
Burimi: zhurnal.mk