Merkato e janarit nuk solli ndryshime të mëdha për futbollistët shqiptarë që aktivizohen jashtë vendit, pavarësisht zërave dhe spekulimeve të shumta që qarkulluan gjatë javëve të fundit.
Emra si Mario Mitaj, Marash Kumbulla dhe Elseid Hysaj u përfolën shpesh për një ndryshim skuadre, por në fund asnjë prej tyre nuk lëvizi, duke vijuar aventurën me klubet aktuale.
Kapiteni i kombëtares do të vijojë të qëndrojë te Lazio, edhe pse ka përfunduar jashtë skuadrës. Mitaj nuk po luan në ekipin e tij në Arabi, ndërkohë që Kumbulla nuk është ambientuar shumë mirë te Mallorca.
Zhvillimi më i rëndësishëm lidhet me Kristjan Asllanin, i cili është larguar nga Torino dhe është transferuar te Besiktas, sërish në formë huazimi, ndërsa kartoni mbetet në pronësi të Interit.
Situata e Nedim Bajramit mbetet e pandryshuar. Mesfushori vazhdon te Rangers, atje ku ka pak hapësira dhe po vuan nga një dëmtim.
Një tjetër lëvizje e spikatur është ajo e Rey Manajt, i cili është rikthyer në Turqi te Sivasspor, ku u prit në mënyrë spektakolare nga tifozët, duke treguar pritshmëritë e larta për kontributin e tij.
Sa i përket Myrto Uzunit, sulmuesi u përfol për një rikthim në Spanjë, por negociatat nuk u konkretizuan dhe gjithçka mbeti vetëm në nivel zërash.
Lëvizje te pakta që ndoshta nuk favorizojnë shumë disa prej lojtarëve të Kombëtares që do të kenë test të rëndësishëm në Play Off kundër Polonisë.
Burimi: botasot.info


