Bashkimi Evropian ka dënuar ashpër deklaratën e ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, e cila deklaroi se, po të kishte qenë në vend të ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq, gjatë vitit 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.
Deklarata e saj ka shkaktuar reagime të shumta, pasi konsiderohet si një justifikim i retorikës së spastrimit etnik dhe bie ndesh me vlerat mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian.
Duke komentuar këtë çështje, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, tha se Bashkimi Evropian nuk komenton deklaratat individuale të zyrtarëve politikë. Megjithatë, ajo nënvizoi se në Evropë nuk ka vend për retorikë që arsyeton, promovon apo glorifikon spastrimin etnik, duke ritheksuar përkushtimin e BE-së ndaj respektimit të të drejtave të njeriut, paqes dhe pajtimit në rajon.
Deklarata e ministres serbe vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të jenë të ndjeshme, ndërsa Bashkimi Evropian vazhdon të kërkojë nga të dyja palët të shmangin gjuhën nxitëse dhe veprimet që mund të rrisin tensionet ose të dëmtojnë procesin e normalizimit të marrëdhënieve.
Gjithashtu vlen të kujtohet që Kosova ka shpallur ‘non grade’ ministren serbe.
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur veprimtari Agim Aliçkaj.
Ai thotë se deklarata e ministres serbe për spastrimin etnik të Kosovës nuk është e rastësishme, por pasqyron vazhdimësinë e politikave historike serbe që, sipas tij, kanë synuar dëbimin dhe zhdukjen e shqiptarëve nga trojet e tyre.
“Deklarata e ministres serbe Paunoviq për spastrimin etnik të Kosovës nga shqiptarët nuk është asgjë e re dhe as befasuese. Ajo është vazhdim i përpjekjeve shekullore të politikës shoviniste, raciste dhe hegjemoniste serbe për zhdukjen e shqiptarëve.
Projektet për eliminimin e shqiptarëve dhe grabitjen e tokave të tyre nga serbët janë të shumta. Ato fillojnë me Naçertanijen e vitit 1844, vazhdojnë me Memorandumin e vitit 1937 të Çubriloviqit, “Dëbimi i shqiptarëve”, me Memorandumin e Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (SANU) të vitit 1986 dhe kulmojnë me operacionin “Patkoi” të viteve 1998–1999, të organizuar nga regjimi i kriminelit të luftës Slobodan Millosheviq.
Çubriloviqi i përshkruan në detaje të gjitha format dhe mënyrat e realizimit të planeve çnjerëzore serbe. Ai e thotë hapur se “ekzistenca e kombit serb varet nga mosekzistenca e kombit shqiptar”. Duhet theksuar se të gjitha planet serbe janë produkt i përbashkët i regjimeve shtetërore, Akademisë Serbe të Shkencave dhe Kishës Ortodokse Serbe”, u shpreh ai.
Veprimtari shton se, falë rezistencës së shqiptarëve, luftës së UÇK-së dhe ndërhyrjes së NATO-s, dështuan planet serbe për gjenocid në Kosovë, por ideologjia e urrejtjes ndaj shqiptarëve vazhdon të mbijetojë në Serbi, edhe për shkak të mungesës së një procesi të “denazifikimit” pas luftës.
“Fatmirësisht, falë rezistencës heroike shekullore të popullit shqiptar në forma të ndryshme, e cila u kurorëzua me luftën çlirimtare të UÇK-së dhe bombardimin e Serbisë nga NATO-ja në vitin 1999, gjenocidi serb ndaj shqiptarëve dështoi me turp dhe përfundimisht. Por ëndrrat e kota serbe, të manifestuara edhe në deklaratën e fundit të ministres serbe Paunoviq, vazhdojnë.
Shihet qartë se një pjesë e madhe e popullit serb, edhe pas bombardimit dhe humbjes së katër luftërave mizore, nuk është liruar ende nga mitet dhe mashtrimet e një klase të sëmurë politike, e cila e sundon duke e ushqyer me urrejtje ndaj shqiptarëve dhe popujve të tjerë të Ballkanit.
Gabim shumë i madh i shteteve perëndimore, pas mundjes ushtarake të Serbisë, ishte mungesa e “denazifikimit” të shoqërisë serbe dhe e çlirimit të saj nga urrejtja ndaj kombeve të tjera dhe nga mitet e vdekura të mesjetës”, theksoi veprimtari
Aliçkaj vazhdon bisedën duke thënë se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara po ndjekin një politikë të butë ndaj Serbisë, duke mos ndërmarrë masa konkrete ndaj deklaratave dhe veprimeve të saj, ndërsa ushtrojnë presion të padrejtë mbi Kosovën, gjë që, sipas tij, përbën standard të dyfishtë.
“Bashkësia Evropiane, së bashku me Amerikën, vazhdon me politikën e gabuar dhe të dështuar të përkëdheljes së regjimit serb, të udhëhequr nga bashkëpunëtori i Millosheviqit, Aleksandar Vuçiq, për interesa iluzore gjeostrategjike të tërheqjes së Serbisë nga kthetrat e Rusisë. Regjimi serb po e shfrytëzon këtë situatë në mënyrë të pamëshirshme dhe të pakufishme.
Këtë e vërtetojnë edhe reagimi i zbehtë dhe joserioz i zëdhënëses së Komisionit Evropian, Anitta Hipper, si dhe reagimet e shumë përfaqësuesve të shteteve perëndimore, me përjashtim të ndonjë deputeti apo mendimtari me parime të forta njerëzore. Mungojnë plotësisht veprimet konkrete ndëshkuese ndaj deklaratës çnjerëzore të ministres serbe Paunoviq.
Ata nuk kanë marrë asnjë masë konkrete ndëshkuese ndaj Serbisë për aktet terroriste të Banjskës dhe Ujmanit, për mosnënshkrimin e marrëveshjes së Brukselit dhe për destabilizimin e Kosovës dhe të Ballkanit. Nga ana tjetër, bëjnë presione të padrejta mbi Kosovën për të bërë lëshime shtesë ndaj Serbisë, përfshirë edhe sanksionet ndaj Kosovës për zbatimin e ligjit në veri. Standardi i tyre i dyfishtë është tronditës”, potencoi ai.
Në fund veprimtari nënvizon se reagimet e Shqipërisë, një pjese të politikës shqiptare dhe faktorit ndërkombëtar kanë qenë të pamjaftueshme, ndërsa paralajmëron se, sipas tij, pa ndëshkimin e përgjegjësve dhe ndryshime rrënjësore në politikën serbe, nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme në Ballkan.
“Reagimi i shtetit amë dhe i kryeministrit jolegjitim proserb të Shqipërisë, Edi Rama, ishte i pavlerë dhe i turpshëm. I njëjtë është edhe mosdeklarimi i përfaqësuesve të disa partive dhe i një pjese të shtypit në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare.
Deklarata e ministres së urrejtjes së shtetit serb të urrejtjes dhe miteve, Paunoviq, është e rrezikshme. Qëllimi i saj është mashtrimi i votuesve serbë në zgjedhjet e ardhshme dhe tërheqja e vëmendjes së ndërkombëtarëve nga veprimet destruktive të regjimit të Vuçiqit, i cili nuk merr asnjë masë ndaj saj, por tani paraqitet si “lider konstruktiv i përkushtuar ndaj paqes”.
Le ta marrin vesh të gjithë, shqiptarët kombëtarë dhe jokombëtarë, si dhe të gjithë ndërkombëtarët me qëndrime të ndryshme: pa ndëshkimin e kriminelëve serbë, largimin e qeverisë shoviniste, raciste dhe hegjemoniste serbe dhe denazifikimin e asaj pjese të popullit serb të ngarkuar me urrejtje ndaj të tjerëve, nuk do të ketë kurrë qetësi, siguri dhe paqe të qëndrueshme në Ballkan”, përfundoi veprimtari Aliçkaj për “Bota sot”.
Burimi: botasot.info


