Nga Likova e Kumanova, e deri te Shkupi, Çairi, Tetova, Gostivari, Struga, Kërçova e Dibra, 45 autoambulancat e para nga gjithsej 100 të siguruarat kanë nisur të lëshohen në përdorim për shëndetësinë publike.
Këto automjete për ndihmë të parë janë tërësisht të pajisura, duke mundësuar që pacienti të marrë kujdesin mjekësor që në momentin e transportit deri në institucionin shëndetësor.
“Do t’u ndahen të gjitha institucioneve të shëndetit publik në vendin tonë. Duke nisur nga Likova, mandej Kumanova, Shkupi, kuptohet këtu bën pjesë edhe Çairi, Tetova, Gostivari, Struga, Kërçova, Dibra.”, – deklaroi zëdhënësja e Qeverisë, Venera Azizi për RTVM.
Përfaqësuesit qeveritarë theksojnë se ky investim adreson një nevojë urgjente të personelit mjekësor, të cilët shpesh janë ballafaquar me mungesë automjetesh për të mbuluar njëkohësisht kërkesat në shumë zona.
Në kuadër të planeve të ardhshme, autoritetet kanë nisur bisedimet që brenda vitit 2027, me mbështetjen e partnerëve financiarë, të sigurohen edhe 50 autoambulanca shtesë
“Gjithsesi se do të përmirësohet cilësia e shërbimeve mjekësore, duke marrë parasysh edhe investimet që planifikojmë t’i realizojmë në periudhën e ardhshme në sektorin e shëndetësisë konkretisht në Kërçovë dhe Tetovë”, – theksoi zëdhënësja e Qeverisë, Venera Azizi.
Pajisjet e ambulancave përfshijnë defibrilator/monitor të avancuar me funksion stimulimi kardiak dhe monitorimi, si dhe sisteme për furnizim me oksigjen dhe mbështetje respiratore për të rritur, fëmijë dhe të porsalindur.
Ato kanë gjithashtu barelë automatike, sistem hidraulik që ul dridhjet gjatë transportit, dezinfektim të integruar me ozon dhe sisteme moderne të sigurisë aktive të automjetit.

