Ansambli Kulturor Artistik “Bajram Shabani” nga Kumanova shënoi mbrëmë 81-vjetorin e themelimit me një koncert festiv kushtuar këngës, valles dhe trashëgimisë kulturore shqiptare.
Programi artistik solli në skenë vlerat e ruajtura dhe të përcjella ndër breza, duke dëshmuar përkushtimin e ansamblit për kultivimin dhe promovimin e traditës shqiptare. Koncerti u pasurua edhe nga pjesëmarrja e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Në këtë ngjarje mori pjesë edhe zëdhënësja e Qeverisë, Venera Latifi Azizi, e cila vlerësoi kontributin e ansamblit dhe rolin e Kumanovës si vatër e artit dhe e kulturës shqiptare.
“Kumanova gjithmonë ka qenë vatër e artit dhe e kulturës shqiptare, vend ku talenti është ushqyer me dashuri dhe tradita është ruajtur me zemër. Ansambli ‘Bajram Shabani’ është një nga dëshmitë më të bukura të kësaj trashëgimie”, theksoi Azizi.
Duke uruar jubileun, ajo shprehu mirënjohje për brezat e artistëve që me përkushtim e sakrifica e kanë mbajtur gjallë këtë pasuri kulturore, si dhe për të rinjtë që sot e vazhdojnë traditën.




