Velivari i Dibrës, një nga zonat më piktoreske malore në verilindje të vendit, është mbuluar nga dëbora, duke u shndërruar në një destinacion tërheqës për alpinistë, sportistë dhe vizitorë të apasionuar pas sporteve dimërore.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama publikoi në rrjetet sociale pamje nga kjo zonë malore, duke vënë në dukje bukuritë natyrore që ofron Velivari gjatë sezonit dimëror.
Peizazhe të mbuluara nga bora krijojnë kushte të përshtatshme për aktivitete në natyrë, si alpinizmi, ecjet malore dhe eksplorimi i terreneve dimërore.
Velivari është maja më e lartë e vargmalit të Deshatit që ndan Dibrën nga Maqedonia e Veriut. Banorët e zonës e njohin me emrin Hinoska. Hartat çeke dhe sllovene, që përdoren nga turistët, e njohin si Velivar. Kjo bjeshkë është e butë dhe ngjitja relativisht e lehtë.
Maja e Velivarit ofron pamje të qytetit dhe liqenit të Dibrës, qytetit të Peshkopisë, liqenit të Ohrit në distancë, luginave të Drinit të Zi dhe Rudokës, dhe maleve të Mavrovës, Shebenikut, Martaneshit, Balgjave, Lurës, Oroshit, Korabit nga ana jugore.
Velivari njihet për natyrën e paprekur dhe panoramat mbresëlënëse, ndërsa gjatë dimrit shndërrohet në një atraksion të veçantë për vizitorët vendas dhe të huaj.
Kjo zonë po shihet gjithnjë e më shumë si një mundësi për zhvillimin e turizmit malor dhe atij të aventurës, duke kontribuar në promovimin e potencialeve natyrore të Dibrës.
Promovimi i destinacioneve të tilla, jo vetëm ofron përvoja unike për vizitorët, por edhe ndikojnë pozitivisht në ekonominë lokale, veçanërisht gjatë sezonit dimëror, përcjell KosovaPress.
Burimi: botasot.info


