Vazhdimësia e politikave serbe ndaj shqiptarëve/ Hasani reagon pas manifestimit të Vidovdanit

June 30, 2025
min lexim

Çdo vit më 28 qershor, në Gazimestan pranë Prishtinës, serbët nga Kosova dhe rajoni kremtojnë Vidovdanin, për të përkujtuar betejën historike të vitit 1389 kundër osmanëve.

Festimet e këtij viti u shoqëruan me tensione, pasi Policia e Kosovës shoqëroi 17 persona për veprime dhe veshje me përmbajtje nxitëse.

 Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, reagoi duke thënë se “do të vijë dita kur serbët do të jenë të lirë të bartin fanella dhe flamuj serbë kudo”.

Lidhur me këtë, veprimtari Refik Hasani në një prononcim për “Bota sot”, ka shprehur qëndrimin se Republika e Kosovës nuk duhet të lejojë zhvillimin e këtyre manifestimeve në territorin e saj.

“Çdo 28 qershor, shënohet Vidovdani. Serbët festojnë një humbje jo të vogël të historisë, të ashtuquajturën Betejë e Kosovës e vitit 1389. Në vitin 1989, gjakpirësi dhe nxitësi i luftërave të ish-RSFJ-së, Sllobodan Millosheviqi, mbajti një tubim në Gazimestan, në një vendbanim jo fort larg Prishtinës, kryeqytetit të Kosovës. Republika e Kosovës nuk duhet të lejojë asnjëherë këto manifestime”, ka thënë ai.

Image

Refik Hasani

Po ashtu, Hasani ka kritikuar vazhdimësinë e politikave serbe ndaj shqiptarëve që nga suprimimi i autonomisë së Kosovës dhe shpërbërja e Jugosllavisë, duke theksuar se edhe pas shpalljes së Pavarësisë, Serbia mban qëndrime të ngjashme me ato të epokës së Millosheviqit.

“Që nga suprimimi i Autonomisë së Kosovës, që ishte njësi e barabartë në kuadër të Jugosllavisë, dhe prishjes së RSFJ-së, ata mundohen të vazhdojnë edhe pas Pavarësisë së Kosovës me deklarata e diskurse gati të njëjta, gjithë liderët më të lartë të Serbisë dhe liderët e partive politike, me ndonjë përjashtim. Nuk do të ndalem te Presidenti aktual i Serbisë, pasi është fund e krye vazhdues i rrugës së Sllobodan Millosheviqit, që njihet botërisht si gjakpirësi dhe nxitësi i luftërave të ish-RSFJ-së, pasi ishte edhe ministër i tij.

Përmes këtij prononcimi, dua të theksoj se ne shqiptarët do të duhej të parashtronim para gjithë instancave të BE-së dhe të adresonim para mekanizmave të OKB-së, siç dihet botërisht, pasi Serbia kreu dëbimin e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit, që ishte një njësi administrative-territoriale e Perandorisë Osmane me qendër në Nish. Serbia dëboi mbi 700 vendbanime shqiptare si në Qarkun e Toplicës, i cili përfshinte rrethin e Jabllanicës, Kosanicës, Prokuplës dhe qytetin e Prokuplës; Qarkun e Nishit, që përfshinte rrethet e Vllasotincës, Leskocit, Nishit dhe qytetin e Nishit; Qarkun e Vranjës me rrethin e Masuricës, Polanicës, Pçinjit dhe qytetin e Vranjës, dhe Qarkun e Pirotit (Nishavës). Banorë shqiptarë kishte edhe në vende të tjera, sidomos në qytete si, p.sh.: në Qupri, Paraçin, Uzhicë, Krushec, Aleksinc, Karanovc (Kralevë), madje edhe në Beograd.

Ne shqiptarët e dëbuar dhunshëm nga Serbia, prej trojeve tona autoktone, duhet të:

A. Kërkojmë të drejtën e dekolonizimit dhe njohjen e të drejtës për rikthim, sipas Rezolutës së OKB-së të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme nr. 1514 (XV), më 14 dhjetor 1960.

B. Ne do të duhej të ushtronim PADI NDËRKOMBËTARE ndaj Serbisë për përvetësimin e pronave, për shpërnguljen e dhunshme, shfarosjen, asimilimin, zhdukjen, dëbimin, shkombëtarizimin e neve shqiptarëve.

C. Ne shqiptarët do të duhej të ngremë te Molla e Kuqe një MEMORIAL PËRKUJTIMOR të përmasave gjigante, si shenjë për shpërnguljen, shfarosjen, asimilimin, zhdukjen, dëbimin dhe shkombëtarizimin e neve shqiptarëve.

Serbia, duke tentuar të nxisë pakicën serbe, dëshiron të “mbulojë” çështjet e sipërshënuara”, ka potencuar Hasani.

Gjitashtu, ai ka dënuar narrativat shoviniste serbe që synojnë krijimin e “Botës serbe” përmes mitologjisë së “tokave serbe”, duke i cilësuar si ideologji raciste e destabilizuese.

Sipas tij, në rrethana të reja, tubime të tilla duhet të ndalohen përgjithmonë nga institucionet e Republikës së Kosovës.

“Shënime që ndërlidhen me këtë janë një politikë shoviniste, që vazhdon të përdoret për të ashtuquajturën “Botë serbe”, për të përhapur narrativën e rreme e të falsifikuar të “tokave serbe”, e cila nxit urrejtje dhe përçmim ndaj shtetit të Kosovës dhe popullit shqiptar. Këto narrativa po përdoren për të justifikuar dhunë, shtypje dhe luftëra, që nxisin dhe përcillen me thirrje raciste. Janë projekte nacional-shoviniste që ushqejnë një mit nacionalist dhe një histori të falsifikuar, të cilën dëshirojnë ta instalojnë, duke ushqyer ambicie, duke mbjellë dhe përhapur ide të rrezikshme.

Këto janë predikime fetare dhe pjesë e retorikës politike në Serbi, të cilat shërbejnë si armë ideologjike — një mjet nacionalist dhe destabilizues.

Tani janë krijuar rrethana të tjera. Ky tubim, që me të drejtë është ndaluar, nuk duhet të lejohet asnjëherë nga institucionet e Republikës së Kosovës”, ka përfunduar Hasani.

Burimi: botasot.info

MARKETING

RENT A CAR

Lajmi i mëparshëm

Amanda Dedej, e artë në Youth League

Të fundit nga

Amanda Dedej, e artë në Youth League

Amanda Dedej nga Shqipëria ka shkëlqyer në Ligën e të rinjve në Karate, teksa për moshën deri në 14 vjeç ka marrë medaljen e artë në peshën deri në 52 kilogram. Gjithçka
ShkoLartë