Rreth 20 milionë fëmijë të moshës 12 deri në 17 vjeç kanë përjetuar të paktën një formë të shfrytëzimit ose abuzimit seksual të mundësuar nga teknologjia brenda një viti, ka bërë të ditur UNICEF-i.
Të dhënat e publikuara të enjten tregojnë se bëhet fjalë për pothuajse një në pesë fëmijë në 21 vendet e përfshira në hulumtim.
Raporti i ri i UNICEF-it, “Përmes syve të fëmijëve: Si mundësojnë teknologjitë digjitale abuzimin seksual të fëmijëve”, tregon se mbi 15 milionë fëmijë janë ekspozuar ndaj përmbajtjeve seksuale të padëshiruara.
Rreth 9 milionë janë kërkuar të përfshihen në biseda seksuale ose të ndajnë imazhe të tilla kundër vullnetit të tyre. Ndërkohë, 4 milionë fëmijëve u janë shpërndarë imazhe seksuale pa pëlqimin e tyre.
Sipas UNICEF-it, përmasat reale të fenomenit mund të jenë edhe më të mëdha për shkak të numrit të lartë të rasteve që nuk raportohen.
“Më shumë se 20 milionë fëmijë në vendet e studiuara janë përballur me përmbajtje seksuale eksplicite të padëshiruara ose shfrytëzim në internet, shpesh në hapësirat digjitale ku mësojnë, luajnë dhe komunikojnë me miqtë”, ka deklaruar drejtoresha ekzekutive e UNICEF-it, Catherine Russell, sipas njw njoftimi tw kwsaj organizate.
Ajo ka paralajmëruar se përvoja të tilla shkaktojnë pasoja të thella emocionale dhe mendore, ndërsa shumë viktima vuajnë në heshtje dhe nuk dinë se ku të kërkojnë ndihmë.
Gati 60 për qind e rasteve të identifikuara kanë ndodhur në platformat e mediave sociale, përfshirë Facebook, Instagram, Snapchat, TikTok dhe WhatsApp. Rreth 14 për qind janë regjistruar në lojërat online.
Raporti sfidon edhe bindjen se abuzimi në internet kryhet kryesisht nga persona të panjohur.
Në 57 për qind të rasteve është përfshirë dikush që fëmija e njihte më parë, përfshirë bashkëmoshatarë, partnerë romantikë, miq apo anëtarë të familjes. Në 38 për qind të rasteve, viktimat e kishin takuar për herë të parë autorin në internet.
UNICEF-i ka ngritur shqetësimin edhe për pasojat që këto përvoja mund të kenë në shëndetin mendor.
Fëmijët që kishin përjetuar shfrytëzim të mundësuar nga teknologjia rezultuan katër herë më të prirë të raportonin mendime ose sjellje vetëvrasëse dhe vetëlëndim.
Në Meksikë dhe Maqedoninë e Veriut, rreziku i mendimeve ose sjelljeve vetëvrasëse ishte mbi tetë herë më i lartë te fëmijët që kishin përjetuar abuzim. Në Pakistan, rreziku i vetëlëndimit ishte mbi shtatë herë më i lartë.
Një tjetër gjetje shqetësuese lidhet me mosraportimin e rasteve.
Mbi 40 për qind e rasteve nuk i janë treguar asnjë personi, ndërsa më pak se 1 për qind janë raportuar tek autoritetet, përfshirë policinë, punonjësit socialë apo linjat e ndihmës.
Arsyeja më e zakonshme e heshtjes, sipas raportit, ishte se fëmijët nuk dinin se ku të drejtoheshin ose kujt t’i tregonin.
UNICEF-i vlerëson se këto gjetje kërkojnë veprim urgjent nga qeveritë, kompanitë e teknologjisë dhe institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e fëmijëve.
Për Kosovën, organizata thekson se bazat ligjore dhe politikat kryesisht ekzistojnë, por prioritet mbetet zbatimi i tyre në praktikë.
Sipas UNICEF-it, duhet të sigurohet që fëmijët të mund ta raportojnë abuzimin në mënyrë të sigurt, ndërsa shërbimet sociale, shëndetësia, arsimi, policia dhe drejtësia duhet të reagojnë në mënyrë të koordinuar dhe të ndjeshme ndaj tyre.
Organizata kërkon gjithashtu që mbrojtja e fëmijëve të shtrihet plotësisht në hapësirat digjitale, ku ata kalojnë gjithnjë e më shumë kohë.
Raporti rekomandon masa më të forta të privatësisë në platformat digjitale, kufizimin e kontakteve të padëshiruara nga të rriturit dhe përmirësimin e sistemeve për zbulimin dhe raportimin e abuzimit.
UNICEF-i kërkon forcimin e legjislacionit për t’iu përgjigjur edhe formave të reja të keqpërdorimit, përfshirë shantazhin seksual dhe materialet seksuale të abuzimit të fëmijëve të gjeneruara nga inteligjenca artificiale.
“Të gjithë ne, përfshirë qeveritë dhe kompanitë e teknologjisë, duhet të bëjmë më shumë për t’i mbrojtur fëmijët online”, ka deklaruar Russell.
Hulumtimi bazohet në anketa me rreth 21 mijë fëmijë të moshës 12 deri në 17 vjeç që përdorin internetin në 21 vende, si dhe në intervista të thelluara me 100 të rinj që kishin përjetuar abuzim gjatë fëmijërisë.
Studimi është realizuar në kuadër të projektit “Disrupting Harm”, të zbatuar bashkërisht nga UNICEF-i, ECPAT International dhe INTERPOL.
Burimi: botasot.info

