Shkurtimi i fondeve ndërkombëtare për AIDS-in ka pasur pasoja të gjera dhe ka shkaktuar valë tronditëse në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme të prekura nga pandemia, raportoi të martën në Gjenevë UNAIDS, programi i OKB-së për të luftuar sëmundjen.
Shkurtimet mund të shkaktojnë deri në 3.9 milionë infeksione shtesë me HIV, virusin që shkakton AIDS-in, tha agjencia e OKB-së në publikimin e raportit të saj vjetor ,përpara Ditës Botërore të AIDS-it më 1 dhjetor.
“Kriza e financimit të vitit 2025 e ka futur në trazira reagimin ndaj AIDS-it”, tha ajo, por gjithashtu vuri në dukje se raporti i ri tregoi “prova se qëndrueshmëria, investimet dhe inovacioni i kombinuar me solidaritetin global, ende ofrojnë një rrugë për t’i dhënë fund AIDS-it”.
Vitin e kaluar, rreth 1.3 milion njerëz u infektuan rishtazi me virusin dhe rreth 630,000 vdiqën nga SIDA.
Në fund të vitit 2024, kishte 40.8 milion njerëz që jetonin me HIV, me më shumë se tre të katërtat e tyre që kishin qasje në ilaçet përkatëse.
Infeksionet dhe vdekjet kishin rënë ndjeshëm që nga viti 2010, tha raporti.
Në fillim të vitit, Shtetet e Bashkuara, të cilat kishin siguruar tre të katërtat e financimit ndërkombëtar për HIV/AIDS, ngrinë përkohësisht të gjitha pagesat.
Që atëherë, Uashingtoni ka rifilluar financimin për testet e HIV-it, ilaçet dhe personelin shëndetësor për vendet e tjera.
“Ndikimi i një përshpejtimi të papritur të shkurtimeve në financimin ndërkombëtar të HIV-it, së bashku me një shkurtim të të drejtave të njeriut, ka qenë shkatërrues”, tha në raport drejtuesja e UNAIDS-it, Winnie Byanyima.
UNAIDS raportoi një rënie prej 31% në numrin e personave që trajtohen me ilaçe parandaluese në Ugandë midis fundit të vitit 2024 dhe shtatorit. Në Burundi rënia ishte 64%.
Në Nigeri, shpërndarja e prezervativëve është më shumë se përgjysmuar gjatë tre muajve të parë të këtij viti.
Raporti vëren se shumë vende janë përshtatur nëpërmjet rritjes së investimeve të parave të tyre.
Ai tha se më shumë se dy duzina vende kishin rritur ndjeshëm buxhetet e tyre shëndetësore dhe shpenzimet për programet e AIDS-it.
Burimi: botasot.info


