Hungaria ka hapur hetim penal për abuzime të dyshuara në “Eximbank” shtetërore, ku në fokus është edhe kredia prej një miliard eurosh për Maqedoninë, njoftoi “Reuters”.
Autoritetet hungareze njoftuan se hetimi përfshin katër raste ku ekzistojnë dyshime për abuzim të pozitës zyrtare dhe punë të pakujdesshme. Rastet janë raportuar në korrik nga Ministria e Ekonomisë, pas një auditimi të veprimtarisë së bankës.
Në kuadër të hetimit, hetuesit të hënën konfiskuan mijëra faqe me dokumente të brendshme nga Ministria e Ekonomisë, të cilat pritet të ofrojnë informacione shtesë për rastet nën hetim.
“Bëhet fjalë për dokumente të siguruara gjatë hetimit të brendshëm, të cilat përmbajnë të dhëna shtesë për hetimin e veprimeve të raportuara”, thuhet në njoftimin e autoriteteve.
Kredia për Maqedoninë është aprovuar me normë interesi prej 3,25 për qind dhe me garanci të plotë shtetërore.
Kryeministri Péter Magyar deklaroi në korrik se ekzistojnë dyshime se fondet e destinuara për mbështetjen e kompanive hungareze mund të jenë ridrejtuar për forcimin e një aleati politik të huaj, si dhe për përfitime të mundshme të kompanive të afërta me qeverinë e mëparshme.
“Eximbank” deri në qershor të vitit 2022 ishte nën kompetencën e Ministrisë së Punëve të Jashtme, ndërsa më pas përgjegjësia për bankën iu transferua Ministrisë së Ekonomisë.
Deri tani, banka nuk i është përgjigjur kërkesës për koment lidhur me hetimin.
Magyar, i cili me fitoren në zgjedhjet e prillit i dha fund 16 viteve të qeverisjes së ish-kryeministrit Viktor Orbán, ka premtuar se do të merret me atë që e konsideron korrupsion të përhapur gjerësisht në qeverinë e mëparshme.
Orbán i ka hedhur poshtë këto akuza.
Burimi: lajmpress.org


