Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të hënën se fushata ushtarake kundër Houthive në Jemen – të cilët mbështeten nga Irani – do të “shkojë shumë mirë”.
Komentet e Trumpit për gazetarët jashtë Shtëpisë së Bardhë erdhën në kohën kur Jemeni nisi operacionin “Agimi i Jemenit”, me qëllim rivendosjen e institucioneve shtetërore, çlirimin e kryeqytetit Sana dhe dhënien fund të grushtit të shtetit nga milicia Houthi, sipas kreut të Këshillit Presidencial të Udhëheqjes së Jemenit, Rashad al-Alimi.
“Gjithçka do të shkojë shumë mirë. Do të shkojë shumë mirë“, u përgjigj Trump kur u pyet për mendimin e tij mbi ofensivën e re për rimarrjen e territoreve.
Ndryshe, forcat e qeverisë së Jemenit, të mbështetura nga Arabia Saudite, kanë deklaruar se kanë vendosur nën kontroll zonën strategjike të ngushticës Bab al-Mandab, në kuadër të ofensivës së gjerë kundër rebelëve Houthi të mbështetur nga Irani.
Ushtria jemenase tha se morën kontrollin e zonës së Bab al-Mandabit dhe aeroportit ushtarak të Dhubabit, ndërsa ndërprenë rrugën që lidh Dhubabin me qytetin e Mokhas.
Sipas ushtrisë, qindra luftëtarë Houthi janë rrethuar në zonë.
Forcat qeveritare kanë pretenduar gjithashtu se kanë rimarrë Mokhan, një qytet portual strategjik në Detin e Kuq.
Megjithatë, burime qeveritare dhe ushtarake të cituara nga agjencitë ndërkombëtare kanë dhënë versione të ndryshme, duke thënë se forcat mund të kenë arritur vetëm në periferi të qytetit.
Ofensiva tokësore po mbështetet nga një fushatë intensive ajrore saudite.
Koalicioni i udhëhequr nga Riadi tha se rreth 100 avionë luftarakë po ofrojnë mbështetje ajrore dhe se janë goditur 324 objektiva të cilësuara si me vlerë të lartë.
Në anën tjetër, Houthit kanë pretenduar se kanë sulmuar objektiva në Arabinë Saudite, përfshirë aeroportin ndërkombëtar të Riadit dhe objekte të kompanisë së naftës Saudi Aramco. Pretendimet për dëmet nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.
Burimi: botasot.info


