Sulmet ushtarake izraelite të hënën kanë vrarë tre persona në perëndim të qytetit të Gazës, ka thënë spitali ku kanë mbërritur viktimat.
Sipas Associated Press, spitali Shifa ka raportuar për vdekjet në mes të armëpushimit disa muajsh, gjatë të cilit janë shënuar përleshje të vazhdueshme, transmeton KosovaPress. Ushtria izraelite ka deklaruar të hënën se po godet objektiva si përgjigje ndaj faktit se trupat izraelite janë qëlluar me armë në qytetin jugor Rafah, gjë që, sipas saj, përbën shkelje të armëpushimit. Ushtria ka bërë të ditur se po godet objektivat “në mënyrë precize”.
Armëpushimi katërmujor i mbështetur nga SHBA-ja pasoi negociata të bllokuara dhe përfshinte pranimin nga Izraeli dhe Hamasi të një plani me 20 pika të propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump, që synonte t’i jepte fund luftës së nisur pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023 në Izrael. Në atë kohë, Trump kishte thënë se kjo do të çonte drejt një “paqeje të fortë, të qëndrueshme dhe të përhershme”.
Hamasi liroi të gjithë pengjet e gjalla që mbante në fillim të marrëveshjes, në këmbim të mijëra të burgosurve palestinezë të mbajtur nga Izraeli dhe të eshtrave të të tjerëve.
Por çështjet më të mëdha që synonte të adresonte marrëveshja, përfshirë qeverisjen e ardhshme të Rripit të Gazës, u përballën me rezerva, ndërsa SHBA-ja nuk ofroi një afat kohor të qartë.
Burimi: botasot.info


