Vele Trpevski, të cilit kjo do t’i jetë mandati i dytë si ambasador në Shqipëri, pjesën përshëndetëse të fjalimit të tij e tha në gjuhën shqipe. “Maqedonia dhe Shqipëria kanë bashkëpunim në çdo sferë, veçanërisht duke qenë se të dyja vendet angazhohen për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe kanë marrëdhënie tradicionalisht miqësore” – tha ai.
“Si fqinjë nuk kemi çështje të hapura, natyrisht, bashkëpunimi do të thellohet edhe më tej përmes integrimit tonë të përbashkët në Bashkimin Evropian, si dhe anëtarësimit të përbashkët në NATO dhe bashkëpunimit që e shënojmë në këtë drejtim. Shtesë e rëndësishme është se kemi filluar procesin e mbajtjes së mbledhjeve të përbashkëta qeveritare, një proces që ka nisur në vitin 2017”, tha Vele Trpevski – Ambasador në Republikën e Shqipërisë.
Thellimi i marrëdhënieve politike dhe bashkëpunimit ekonomik, më pas forcimi i bashkëpunimit ndërparlamentar, mbajtja e komunikimit të rregullt me institucionet daneze, inicimi i takimeve në fusha që janë me interes të përbashkët për të dyja vendet, angazhimi i diasporës, janë pjesë e prioriteteve që i paraqiti ambasadori i ardhshëm i vendit në Mbretërinë e Danimarkës, Fadil Zendeli.
“Danimarka jep mbështetje për perspektivën evropiane të vendit tonë dhe reformat që janë shumë të rëndësishme për integrimin e mëtejshëm të vendit tonë në Bashkimin Evropian. Qëndrimi zyrtar i Danimarkës është se vendet aspirante për Bashkimin Evropian që i kanë përmbushur kriteret e Kopenhagës duhet të jenë pjesë e Bashkimit Evropian”, u shpreh Fadil Zendeli – Ambasador në Danimarkë.
Nikolla Blazhevski pret që angazhimi i tij i ardhshëm diplomatik në Ukrainë të jetë me shumë sfida për shkak se ai vend përballet me agresionin rus dhe deri atëherë ai do të jetë ambasador jorezident. Blazhevski thotë se përveç avancimit të marrëdhënieve të ndërsjella, shumë e rëndësishme është të ndiqet edhe mënyra se si Ukraina do ta afrojë anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian, veçanërisht për shkak të problemeve që ajo ka me pothuajse të gjithë fqinjët e saj perëndimorë, të cilët janë anëtarë të BE-së.
“Veçanërisht do të jetë interesante të ndiqen modalitetet e mundshme që Bashkimi Evropian do t’i propozojë në procesin e integrimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian, e që do të vlejnë edhe për vendet e tjera kandidate. Do të jetë vërtet interesante të ndiqet kjo çështje, pasi Ukraina me disa nga fqinjët e saj ka, ndoshta jo çështje të hapura, por tema që në momente të caktuara mund të jenë të diskutueshme dhe ndoshta të keqpërdorura”, theksoi Dimitar Blazhevski – Ambasador në Ukrainë.
Përndryshe, në pritje për t’u dërguar në përfaqësitë diplomatike janë 9 ambasadorë. Njëri prej tyre është ish-ministri për çështje evropiane Orhan Murtezani, i cili pritet të shkojë si ambasador në selinë e NATO-s në Bruksel. Përfaqësues të rinj diplomatikë vendi do të ketë edhe në Londër dhe Hagë, ndërsa pritet të dërgohen edhe dy përfaqësues të tjerë në konsullatat në Melburn dhe Athinë./TV21
Burimi: lajmpress.org



