Drejtori i Institutit të Transfuziologjisë, Amir Elezi, njoftoi për inaugurimin e hapësirave të renovuara të Mjekësisë së Transfuzionit në Tetovë, duke theksuar përmirësimin e kushteve për pacientët, dhuruesit e gjakut dhe stafin shëndetësor.
“Sot pata kënaqësinë që, së bashku me Zëvendëskryeministrin e Parë Bekim Sali, ministrin e Shëndetësisë Azir Aliu, drejtorin e Spitalit Klinik të Tetovës Erzen Elezi, si dhe punonjës shëndetësorë, të inaugurojmë hapësirat e renovuara të Mjekësisë së Transfuzionit në Tetovë”, theksoi Elezi.
Ai shtoi se me investimin e realizuar, tashmë përdoruesit e shërbimeve do të kenë kushte moderne.
“Tashmë, pacientët që trajtohen në ambulantat e Transfuziologjisë, dhuruesit e gjakut dhe të punësuarit do të kenë në dispozicion kushte bashkëkohore dhe dinjitoze”, deklaroi ai.
Elezi bëri të ditur se gjatë vitit të kaluar është arritur një rekord në numrin e dhuruesve të gjakut.
“Gjatë vitit të kaluar arritëm një numër rekord prej gjithsej 60.222 dhuruesve të gjakut”, u shpreh ai.
Me këtë rast, ai u bëri thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të kontribuojnë në këtë mision human.
“Bëjmë thirrje që edhe këtë vit të vazhdojmë së bashku këtë mision human, me qëllimin e vetëm që pacientët në nevojë të kenë në çdo kohë gjak dhe produkte të gjakut”, theksoi Elezi, duke shtuar se “vazhdojmë drejt sukseseve të reja”.
Burimi: alfax.mk


