Sistemi i monitorimit të trafikut në Maqedoninë e Veriut, “Safe City”, do të fillojë të zbatohet nga 12 tetori edhe në territorin e Sektorit të Punëve të Brendshme (SPB) Ohër, konkretisht në qytetet Ohër, Dibër, Kërçovë dhe Strugë, njoftoi sot ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Gjatë një vizite në Ohër, Toshkovski tha se përgatitjet janë në fazën përfundimtare dhe se gjatë dy javëve të ardhshme pritet të përfundojnë aktivitetet e mbetura lidhur me qendrën komanduese dhe zbatimin e sistemit.
Masa “Safe City” është sistem inteligjent për monitorimin e trafikut dhe evidentimin e kundërvajtjeve në komunikacion përmes kamerave dhe teknologjive të automatizuara.
Ai ka filluar të zbatohet në Maqedoninë e Veriut më 1 shkurt të këtij viti, fillimisht me një periudhë përshtatjeje prej dy muajsh e gjysmë, gjatë së cilës qytetarët janë njoftuar dhe kontrolluar për shkeljet e rregullave të trafikut.
Fillimisht, sistemi u vendos në funksion në tri qytete, Shkup, Kumanovë dhe Tetovë si dhe në disa segmente rrugore, ndërsa më pas u zgjerua edhe në zona të tjera.
Sipas Toshkovskit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, këtë vit numri i personave të lënduar në aksidentet e trafikut është ulur me 20 për qind ndërsa janë regjistruar 34 viktima më pak.
Burimi: alfax.mk


