Nga 1 janari 2026 në Maqedoninë e Veriut do të hyjë në funksion projekti “SAFE CITY”, përmes të cilit kamerat e vendosura në rrugë do të regjistrojnë shkeljet e komunikacionit, ndërsa ndaj kundërvajtësve do të shqiptohen gjoba të rënda, përfshirë edhe dënime me burg dhe konfiskim të përhershëm të automjeteve.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, tha se para fillimit zyrtar, do të ketë një muaj periudhë testuese ku qytetarët vetëm do të informohen për shkeljet e tyre, por pa u gjobitur. Ai sqaroi se po punohet në ndryshimin e ligjeve përkatëse, ndërsa në Kuvend tashmë ka nisur procedura për miratimin e tyre. “Qëllimi nuk është ndëshkimi, por shpëtimi i jetëve. Ai që vozit pa leje, i dehur, nën ndikimin e drogave apo 90 km mbi kufirin e lejuar, nuk duhet të ketë vend në komunikacion”, theksoi Toshkovski pas takimit në Ohër me homologun e tij slloven, Boshçan Poklukar.
Sistemi fillimisht do të zbatohet në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë, ndërsa deri në mesin e vitit 2026 synohet të mbulohet e gjithë territori i vendit, përfshirë edhe Korridorin 8 dhe Korridorin 10. Vetëm në vitin 2024, në aksidente trafiku në Maqedoninë e Veriut humbën jetën 142 persona, shifër që sipas autoriteteve e bën të domosdoshëm ashpërsimin e masave ndëshkuese.


