Ish-mbrojtësi i Chelseat, Fikayo Tomori, e ka pranuar se ndihet krenar që është pjesë e Milanit, duke theksuar peshën historike dhe pritshmëritë e mëdha që mbart fanella kuqezi.
Në një intervistë për “BBC Sport”, Tomori tregoi se çdo ditë në Milanello është një kujtesë e vazhdueshme e madhështisë së klubit.
“Është e çmendur. Çdo ditë hyn dhe sheh fotografi të lojtarëve si Maldini, Baresi, Kaka, Zlatan Ibrahimovic dhe Nesta. Patjetër që ndien pritshmëritë, duke ditur se ata kanë qenë në të njëjtën godinë,” u shpreh mbrojtësi anglez, raporton RTKLive.
Ai shtoi se ndjesia e përgjegjësisë vjen edhe nga tifozët.
“Kjo ndihet edhe nga tifozët që takon në qytet. E kupton sa peshë ka kjo fanellë. Më pëlqen fakti që ata janë kaq krenarë për klubin dhe që ka një pritshmëri për ne që të japim dhe të bëjmë atë që kanë bërë ata para nesh”, theksoi Tomori.
Duke folur për kombëtaren e Anglisë dhe trajnerin Thomas Tuchel, Tomori konfirmoi se ka pasur kontakte në prag të Kupës së Botës.
“Fola me të pas pushimit të fundit ndërkombëtar në nëntor. Kemi folur disa herë dhe mesazhi është që të vazhdoj të bëj atë që po bëj,” tha ai.
Sipas Tomorit, fakti që Tuchel po e ndjek nga afër i jep besim për një ftesë të mundshme.
“Kupa e Botës është gjashtë muaj larg dhe ka ende shumë futboll për t’u luajtur. E di që ai po më vëzhgon, sepse thirri edhe Ruben Loftus-Cheek. Kjo më jep besim se mund t’ia dal”, pohoi ai.
Mbrojtësi theksoi se trajneri i Anglisë ka qenë i pranishëm në Milano dhe ndjek vazhdimisht performancat e ekipit.
“Ai erdhi në Milano sezonin e kaluar dhe e di që merr të dhënat tona dhe sheh rregullisht kripet”, thotë Tomori.
Megjithatë, ai pranon konkurrencën e fortë në repartin defensiv.
“Është e vështirë, sepse ka shumë lojtarë në atë pozicion, si John Stones, Marc Guehi, Dan Burn dhe Ezri Konsa. Por Kupa e Botës mbetet një ëndërr dhe unë po punoj fort për ta realizuar”, përfundoi Tomori.
Burimi: botasot.info


