Një pjesë e tifozëve të Arsenalit kanë vendosur se një nga lojtarët kryesorë të ekipit ka ndaluar t’ia pasojë topin sulmuesit Viktor Gyokeres.
Gyokeres u transferua te “Topçinjtë” në verë për shumën 63.5 milionë paund dhe u parashikua si pika qendrore që skuadrës i kishte munguar nën drejtimin e Mikel Artetës, teksa kërkonin më në fund të fitonin Premierligën.
Arsenali kryeson tabelën duke hyrë në vitin 2026, pasi ka marrë 42 pikë nga 18 ndeshje, pas fitores 2-1 ndaj Brighton të shtunën.
Gyokeres ishte një nga shumë afrimet e reja në “Emirates Stadium” gjatë verës, duke u bashkuar me lojtarë si Martin Zubimendi, Eberechi Eze dhe Noni Madueke.
Megjithatë, ish-sulmuesi i Sporting CP ka hasur vështirësi – duke shënuar vetëm pesë gola në 16 ndeshje në Premierligë.
Suedezi shënoi golin e fitores ndaj Evertonit nga pika e bardhë, por ka pasur vështirësi të lërë gjurmë te Arsenali dhe ishte nën nivelin e duhur kundër ish-skuadrës së tij Brighton – duke humbur një rast të pastër herët në ndeshje, që shumë menduan se duhej ta shfrytëzonte.
Gyokeres pati dy gjuajtje, kompletoi gjashtë pasime dhe pati 17 prekje të topit në këtë fitore, përpara se të zëvendësohej nga Gabriel Jesus në minutën e 71-të.
27-vjeçari është dukur pa vetëbesim për pjesën më të madhe të sezonit dhe pas paraqitjes së fundit, një numër tifozësh të Arsenalit besojnë se vështirësitë e Gyokeres po ndikojnë edhe te Bukayo Saka.
Madje, shumë mendojnë se reprezentuesi anglez po vendos qëllimisht të mos ia pasojë topin Gyokeres.
Në “X”, një tifoz shkroi: “Saka sinqerisht duket sikur po refuzon t’ia pasojë topin Gyokeres.”
Një tjetër shtoi: “Saka po përpiqet aktivisht të mos ia pasojë topin Gyokeres.”
Një i tretë tha: “Unë vërtet mendoj se Saka e urren Gyokeres. Ai kurrë nuk ia pason topin. Në atë aksion të fundit Gyokeres ishte i lirë për pasimin prapa dhe Saka prapë e çon topin në zonë ku nuk ishte askush.”
Një i katërt pyeti: “Pse Saka nuk po ia pason topin Gyokeres?”
Gyokeres u transferua për të qenë numri 9 i Arsenalit, por rikthimi në aksion i Gabriel Jesus dhe Kai Havertz, si dhe fakti që Mikel Merino po luan si zëvendësues, do të thotë se ai as nuk e ka të garantuar vendin e titullarit.
Në lojën e hapur në Premierligë, golat e Gyokeres kanë ardhur kundër Leeds, Nottingham Forest dhe Burnley.
Ndeshja e fundit e Arsenalit për vitin 2025 zhvillohet të martën, kur përballen me Aston Villan në formë shumë të mirë, në “Emirates Stadium”.
Ish-trajneri Unai Emery e ka udhëhequr Villan drejt 11 fitoreve radhazi, përfshirë edhe një përmbysje për të mposhtur Chelsean të shtunën.
E treta në tabelë, skuadra nga West Midlands është një nga dy ekipet e vetme që e kanë mposhtur Arsenalin në Premierligë.
Burimi: botasot.info


