Steve Chen, bashkëthemeluesi i YouTube dhe ish-shefi teknik i platformës, është personazhi më i fundit nga bota e teknologjisë që paralajmëron për ndikimin e rrjeteve sociale tek fëmijët. Në një fjalim të publikuar së fundmi, ai theksoi se videot e shkurtra “përkthehen në aftësi më të ulëta përqendrimi” dhe shtoi se nuk do të donte që fëmijët e tij të konsumonin vetëm këtë lloj përmbajtjeje. Kompanitë që shpërndajnë video të shkurtra, përfshirë edhe YouTube-in, që ai vetë e ka themeluar sipas tij, duhet të vendosin mekanizma mbrojtës për përdoruesit më të vegjël.
Një nga njerëzit që ndihmoi në formësimin e botës moderne të mbushur me përmbajtje digjitale, sot kritikon hapur pikërisht modelin që dikur kontribuoi ta ngrinte. Në një diskutim të mbajtur në fillim të këtij muaji në Shkollën e Biznesit të Universitetit Stanford, Chen shprehu shqetësimin e tij për ndikimin që ka përmbajtja e stilit TikTok në jetën e përditshme në internet.
“Mendoj se TikTok është argëtim, por është vetëm kaq, thjesht argëtim. Është për atë momentin e shkurtër. Përmbajtja e shkurtër përkthehet në përqendrim të shkurtër”, tha Chen gjatë fjalimit, i cili u publikua në YouTube të premten.
Chen, që ka dy fëmijë me bashkëshorten Jamie Chen, tha se nuk do të dëshironte që ata të konsumonin vetëm përmbajtje të tillë, pasi do t’i pengonte të ndjekin video që zgjasin më shumë se 15 minuta. Ai përmendi se njeh prindër të tjerë që u imponojnë fëmijëve të tyre të shikojnë përmbajtje më të gjatë, pa ngjyrat vezulluese dhe truket vizuale që tërheqin veçanërisht fëmijët më të vegjël. Sipas tij, kjo strategji funksionon mirë.
“Nëse nuk ekspozohen menjëherë ndaj përmbajtjes së shkurtër, atëherë vazhdojnë të jenë të kënaqur me përmbajtjen tjetër që po shohin,” shtoi ai.
Chen theksoi gjithashtu se shumë kompani janë detyruar të nxitojnë për të ofruar përmbajtje të shkurtër pas suksesit të TikTok-ut, por tani duhet të gjejnë një balancë mes synimit për të fituar dhe mbajtur vëmendjen e përdoruesve, dhe ofrimit të përmbajtjes që “është vërtet e dobishme.”
Kompanitë që shpërndajnë video të shkurtra, përfshirë YouTube-in mund të përballen me probleme që lidhen me varësinë. Sipas Chen, këto platforma duhet të vendosin masa mbrojtëse për fëmijët, si kufizime moshe për aplikacionet dhe limite kohore për përdorimin e tyre.
Chen i bashkohet kështu zërave të tjerë nga bota e teknologjisë që shprehin shqetësim për ndikimin e rrjeteve sociale tek fëmijët, përfshirë Sam Altman nga OpenAI dhe Elon Musk.
Në një intervistë podcast-i javën e kaluar, Altman kritikoi sidomos efektin që ka skrollimi pa ndalesë dhe “shpërthimet e dopaminës” nga videot e shkurtra, duke thënë se “ka shumë gjasa që po ndikojnë thellësisht në zhvillimin e trurit të fëmijëve”.
Ndërkohë Musk, pronar i rrjetit social X (dikur Twitter), tha në vitin 2023 se nuk ka vendosur ndonjë kufizim për përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët e tij, por shtoi se kjo “ndoshta ka qenë një gabim”. Ai u bëri thirrje prindërve që të jenë më aktivë në mbikëqyrjen e zakoneve digjitale të fëmijëve të tyre.
“Besoj se do t’i kisha kufizuar më shumë rrjetet sociale sesa kam bërë më parë dhe thjesht do të vëzhgoja çfarë po shikojnë, sepse në këtë pikë po programohen nga disa algoritme të rrjeteve sociale, me të cilat mund të jeni dakord ose jo,” tha Musk.
Burimi: botasot.info


