Tesla po paditet nga prindërit e një adoleshenti që humbi jetën në një aksident që përfshiu një nga kamionët e saj Cybertruck gjatë vjeshtës së kaluar.
Ngjarja përfshinte katër pasagjerë që ndodheshin në mjet kur goditi një pemë dhe mori flakë në qytetin Bay Area – Kaliforni, sipas dokumenteve të gjykatës. Vetëm një nga viktimat e aksidentit mbijetoi, raporton The Guardian.
Padia, e depozituar të enjten në gjykatën e lartë të rrethit Alameda, u ngrit nga familja e Krysta Tsukahara, një studente 19-vjeçare që po vizitonte familjen e saj gjatë fundjavës së Falënderimeve në Piedmont, Kaliforni, kur ndodhi aksidenti.
Ngjarja e 27 nëntorit 2024, kur Cybertruck po lëvizte me shpejtësi të madhe, goditi një pemë dhe mori flakë, sipas raportit të patrullës rrugore të Kalifornisë. Kur energjia për dyert elektrike të kamionit u ndërpre nga zjarri, katër pasagjerët mbetën të bllokuar brenda pa rrugëdalje.
Padia pretendon se dizajni i dorezave të dyerve të Cybertruck është shkaku i vdekjes së Tsukahara. Nga brenda kamionit, kur elektriciteti ndërpritet, mënyra e vetme për të dalë nga dera e pasme është të tërhiqet një kabllo që ndodhet nën një mbulesë të kutisë së ruajtjes së derës, sipas një raporti të Bloomberg. Nga jashtë mjetit, dyert gjithashtu mbeten të kyçura dhe dorezat e sheshta e bëjnë të vështirë për punonjësit e shpëtimit të hyjnë.
“Dizajni i këtij mjeti dështoi për Krysta-n”, tha Roger Dreyer, avokati që përfaqëson familjen Tsukahara. “Nuk kishte asnjë mekanizëm funksional, të qasshëm për daljen manuale ose çlirim emergjent për të shpëtuar”.
Dorëzat e dyerve të Tesla-s janë një element kryesor i dizajnit të makinave dhe një pikë krenarie për kryeshefin e kompanisë, Elon Musk.
Tesla ishte marka e parë e veturave që personalizoi dorëzat elektrike dhe ato janë ndërtuar të sheshta për t’i dhënë mjetit një pamje më elegante dhe të rrjedhshme. Por dizajni ka tërhequr vëmendje nga ekspertët e sigurisë së makinave dhe aktualisht është nën hetim nga Administrata Kombëtare për Sigurinë e Trafikut Rrugor.
Tesla ka qenë e përfshirë në padi të tjera për sigurinë e veturave, përfshirë një rast në Florida ku një jurie vendosi në gusht që Tesla duhet të paguajë 243 milionë dollarë për dëme mbi sistemin e saj të ndihmës së drejtuesit, të njohur si Autopilot.
Familja e Tsukahara po padit gjithashtu pronën e drejtuesit Soren Dixon, i cili në kohën e ngjarjes ishte nën ndikimin e alkoolit, kokainës dhe amfetaminave. Dixon gjithashtu vdiq në aksident.
Burimi: botasot.info


