Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, duket se këto ditë do të rrijë me gishtat e kryqëzuar që të mos ketë më dëmtime dhe probleme fizike të lojtarëve që ka planifikuar që të grumbullojë për ndeshjet e play-off të Botërorit.
Shqipëria do të shkojë në këto duele me mungesa të rëndësishme për shkak dëmtimesh, si ato të Manajt e Dakut, pa harruar këtu edhe të një alternative cilësore si Berisha.
Një shqetësim më vete për të ka lindur ditët e fundit, me situatën e Berat Gjimshitit.
Mbrojtësi ka vuajtur vazhdimisht dëmtimet në këtë sezon, por ia ka dalë të kthehet në fushë dhe mendohej se kapiteni i kuqezinjve do të ishte i gatshëm dhe në formë për duelet e marsit.
Por një problem fizik pas ndeshjes me Interin në kampionat, ka bërë që Gjimshiti të përfundojë duke bërë vetëm palestër në ditën e sotme, në pragndeshjen e skuadrës së tij ndaj Bajern Mynih.
Klubi nuk ka dhënë asnjë informacion rreth problemeve të Gjimshitit, ndërsa nuk dihet ende nëse do të jetë i gatshëm që të japë kontributin e tij në fushë gjatë kësaj jave në Champions dhe Serinë A, për të qenë më pas në dispozicion të Silvinjos për ndeshjet me Kombëtaren.
Burimi: botasot.info


