I gjithë vendi vijon të jetë nën kushte atmosferike të paqëndrueshme. Sipas sinoptikanëve, shiu ndërpritet vetëm ditën e hënë, për t’u rikthyer me intensitet më të lartë të martën. Madje disa qarqe rrezikojnë sërish përmbytje.
“Pas mesnatës së të hënës vjen një sistem shirash në të gjithë territorin shqiptar. Do të ketë reshje të konsiderueshme në qarqet Dibër, Shkodër, Lezhë, Durrës, Gjirokastër, Vlorë, Sarandë”, thotë sinoptikanja Lajda Porja.
Ndërkohë, në zonat malore të martën rikthehet sërish dëbora.
“Duke qenë se temperaturat të martën do të jenë në vlera të ulëta, Tropoja, Dibra, qarku i Korçës, të gjitha këto zona do të kenë reshje dëbore”, shprehet Porja.
Intensiteti i reshjeve pritet të ulet pas ditës së mërkurë. Ndërsa duke filluar nga data 20 shkurt, në vend rikthehet moti me diell, por temperaturat do të ulen ndjeshëm. Në ditët e fundit të shkurtit termometri zbret disa gradë nën zero.
“Deri në datën 28 do të jetë i thatë, pa reshje. Java e fundit më e ftohtë. Presim temperatura mjaft të ulëta ose mëngjese mjaft të ftohta. Megjithëse mesdita do të jetë 13 apo 14 gradë, pasi dielli del më në fund javën e fundit të shkurtit. Mund të shënojë edhe vlera -7 apo -8 gradë, në skajin veri dhe verilindje, dhe më pas do të ketë rritje të ftohti”, shton sinoptikanja.
Sipas sinoptikanëve, shkurti i këtij viti është nën kushte atmosferike jo normale për muajin, me shumë reshje dhe i ngrohtë, ndërsa përgjithësisht karakterizohet nga një mot i thatë dhe i ftohtë.
Burimi: botasot.info


