Të gjithë pasagjerët dhe ekuipazhi u shpëtuan pasi trageti “KMP Batumandi” u përfshi nga flakët pranë portit Merak, në Indonezinë perëndimore, të martën.
Sipas mediave të huaja, ekipet e shpëtimit evakuuan të gjithë pasagjerët dhe ekuipazhin nga trageti që u përfshi nga flakët të martën, ndërsa po i afrohej portit Merak në provincën Banten, në Indonezinë perëndimore.
Një shtëllungë e dendur tymi u ngrit nga “KMP Batumandi”, i cili po përgatitej të ankorohej.
Për fat të mirë, nuk raportohet për viktima.
Anija ishte nisur nga Bakauheni, në skajin jugor të Sumatrës, rreth orës 14:52.
Rreth dy orë më vonë, personeli në breg vuri re flakë pranë pjesës së pasme të anijes.
Operatori njoftoi se evakuimi përfundoi brenda një ore.
Një pasagjer tregoi se tymi u dendësua, frymëmarrja u bë e vështirë, ndërsa nga tavani rridhte naftë.
Shkaku i zjarrit ende nuk dihet ndërkohë që autoritetet portuale, agjencia e kërkim-shpëtimit dhe policia po merren ende me menaxhimin e situatës.
Burimi: botasot.info


