Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, zhvilloi takim me ministrin e Departamentit Federal të Punëve të Jashtme të Zvicrës dhe kryesuesin e OSBE-së, Injacio Kasis. Në fokus të bisedimeve ishin mundësitë për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit bilateral, veçanërisht në sferën politike, ekonomike dhe zhvillimore, mbështetja e vazhdueshme zvicerane në fushën e bashkëpunimit zhvillimor, si dhe perspektiva evropiane e vendit tonë. Ministrat shkëmbyen mendime edhe për zhvillimet aktuale politike në të dyja vendet, bashkëpunimin rajonal në Evropën Juglindore, si dhe sfidat aktuale globale dhe rajonale të sigurisë dhe ato gjeopolitike, me theks të veçantë në rolin e OSBE-së në ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë, në kontekstin e kryesimit të Organizatës nga ministri Kasis.
“Përcaktimi ynë është i qartë dhe e ardhmja e shtetit tonë është po ashtu e qartë, ajo është një e ardhme evropiane. E informova ministrin Kasis për proceset reformuese që po i zbatojmë dhe për qëllimin tonë strategjik, anëtarësimin e plotë në BE. Qasja jonë është realiste, por edhe ambicioze. Vazhdojmë me reformat, përafrimin me standardet evropiane dhe forcimin e lidhjeve tona me të gjitha shtetet evropiane”, tha Timço Mucunski
“Qëllimi është që deri në vitin 2028, gradualisht të kalojmë drejt një mbështetjeje më specifike për ekonominë, krijimit të vendeve të reja të punës, mundësive për investime dhe, në fakt, t’i japim më shumë forcë, nxitje dhe entuziazëm vendit tuaj, me çka do të krijohej stabilitet. Ky stabilitet në Ballkanin Perëndimor është i nevojshëm, sepse edhe Zvicra ka nevojë për stabilitetin tuaj”, tha Injacio Kasis.
Burimi:TV21


