Autoritetet tajlandeze kanë shpallur gjendjen e emergjencës në të 50 distriktet e Bangkokut, pas 48 orësh reshje të dendura që kanë përmbytur rrugë të shumta dhe kanë rënduar ndjeshëm sistemin e kullimit të kryeqytetit. Banorëve u është kërkuar të qëndrojnë në shtëpi, ndërsa njerëzit që jetojnë pranë rrjetit të kanaleve janë këshilluar të zhvendosin sendet me vlerë në katet e sipërme, për shkak të rritjes së nivelit të ujit.
Reshjet e dendura kanë shkaktuar kaos në trafik, duke paralizuar disa prej rrugëve kryesore të Bangkokut. Autoritetet paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet, pasi shiu pritet të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim. Somkid Pheuk-ngam, 67 vjeç, banor pranë një kanali në veri të Bangkokut, i tha AFP se uji kishte arritur deri në bel.
Ai tha se kishte dy ditë që e kishte mbyllur dyqanin dhe nuk mund të largohej nga zona. Situata ka sjellë krahasime me përmbytjet katastrofike të vitit 2011, kur Tajlanda u përball me një nga fatkeqësitë më të rënda të motit në historinë e saj.
Qindra persona humbën jetën në atë periudhë, ndërsa përmbytjet zgjatën rreth tre muaj. Deri tani, autoritetet nuk kanë raportuar viktima në Bangkok nga vala aktuale e përmbytjeve.
Shërbimi Meteorologjik i Tajlandës ka parashikuar reshje të dendura gjatë gjithë javës. Zona me presion të ulët që ka sjellë reshjet e fundit pritet të zhvendoset drejt Tajlandës qendrore. Gjithashtu, Guvernatori i Bangkokut, Chadchart Sittipunt, tha se zonat lindore të qytetit janë prekur më rëndë.
“Shiu vazhdon të bjerë dhe ne po bëjmë çmos. Po përpiqemi ta nxjerrim ujin me pompa, por kanalet janë plot”, deklaroi ai, duke paralajmëruar se banorët pranë kanaleve janë ndër grupet më të rrezikuara.
JUST IN: Bangkok, Thailand declares state of disaster in all 50 of the city’s districts amid severe flooding. https://t.co/Q2r46FKcVH
— AZ Intel (@AZ_Intel_) September 26, 2026
Nga ana tjetër, autoritetet po vijojnë punën për pompimin e ujit dhe monitorimin e niveleve të kanaleve, ndërsa banorëve u është kërkuar të ndjekin udhëzimet zyrtare dhe të shmangin udhëtimet e panevojshme.
Burimi: botasot.info


