Elina Svitolina është kualifikuar në gjysmëfinale të ‘Australian Open’, pasi ka fituar çerekfinalen ndaj tenistes amerikane Coco Gauff, duke fituar pastër 2-0 në sete.
Në më pak se një orë lojë, tenistja ukrainase triumfoi me rezultat 6-1 dhe 6-2.
Ishte një paraqitje shumë e fortë nga Svitolina, e cila kontrolloi ndeshjen nga fillimi deri në fund.
Me këtë fitore, ajo siguroi jo vetëm një vend në gjysmëfinale, ku do të përballet me numrin një të botës, Aryna Sabalenka, por edhe rikthimin në mesin e dhjetë tenisteve më të mira në renditjen botërore WTA, duke nisur nga java e ardhshme.
Në anën tjetër, Coco Gauff nuk arriti të përballojë ritmin e imponuar nga kundërshtarja.
Tenistja amerikane pati vështirësi gjatë gjithë takimit dhe u shfaq e tensionuar, pa mundur të reagojë në momentet vendimtare të ndeshjes.
Sipas mediave ndërkombëtare, pas përfundimit të takimit, Gauff ka shfaqur shenja zhgënjimi në dhomat e zhveshjes, ku nervozizmi e ka çuar në thyerjen e raketës së saj.
Burimi: botasot.info


