Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka folur lidhur me ankesën e Nenad Rashkoviqit për rrahje nga Policia e Kosovës, duke bërë të ditur se për këtë rast është angazhuar Inspektorati Policor i Kosovës (IPK).
Sveçla tha se pas rekomandimit të IPK-së, nga detyra janë pezulluar dy zyrtarë policorë, ndërsa ka shtuar se pas përfundimit të hetimeve, publiku do të njoftohet për të gjeturat dhe masat eventuale.
Sveçla: Inspektorati Policor i Kosovës është angazhuar në hetimin e rastit Rashkoviq
“Patjetër, në momentin që ne jemi njoftuar për këtë ankesë, Inspektorati Policor i Kosovës është angazhuar në hetimin e këtij rasti. Tashmë ju e dini se ky inspektorat ka rekomanduar dhe eprorët e policisë kanë realizuar pezullimin e dy zyrtarëve policorë. Në momentin që kemi përfundim të hetimeve, gjithsesi publiku ynë do të jetë i informuar mbi të gjeturat dhe masat eventuale ndaj cilitdo”, tha Sveçla.
Ai ka kritikuar edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke e akuzuar se po e shfrytëzon këtë rast për të devijuar vëmendjen nga hetimet për krimet e luftës në Kosovë.
Sveçla: Vuçiq tenton ta shfrytëzojë rastin Rashkoviq për minimizimin e veprimeve të Serbisë në luftën në Kosovë
“Dua të përmend po ashtu sjelljen absolutisht të papranueshme të Presidentit Vuçiç, i cili një pretendim tenton ta shfrytëzojë për minimizimin e veprimeve të shtetit të Serbisë në luftën e fundit në Kosovë, për tërheqjen e vëmendjes nga të gjeturat, të cilat janë të tmerrshme. Domethënë kemi zbuluar tri varreza masive, kemi zbuluar 71 armë të gjata”, deklaroi ai.
Sveçla tha se në vend të deklaratave publike, Vuçiq duhet të bashkëpunojë dhe të hapë arkivat e Serbisë për krimet e kryera gjatë luftës.
Ministri në detyrë shtoi se institucionet do t’i përfundojnë hetimet për të dyja çështjet, duke kërkuar nga presidenti serb që të kontribuojë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës.
Burimi: botasot.info


