Hakerë të lidhur me Iranin kanë zgjeruar përpjekjet për të goditur infrastrukturën kritike amerikane, duke vënë në shënjestër jo vetëm sistemet e ujësjellësve, por edhe sektorin e energjisë, telekomunikacionin dhe objekte të tjera strategjike në Shtetet e Bashkuara.
Sipas NBC News, përpjekjet e javëve të fundit janë përqendruar kryesisht te sistemet e automatizuara të lidhura me internetin. Deri tani nuk ka të dhëna se sulmet kanë arritur të shkaktojnë dëme serioze, por aktiviteti shihet si një sinjal se Teherani është i gatshëm ta zhvendosë përplasjen me Uashingtonin edhe në frontin kibernetik.
Alarmi u shtua pas një mesazhi të publikuar të dielën në Telegram nga një kanal i lidhur me operacionet kibernetike iraniane. Grupi që prezantohet si “APT IRAN” paralajmëroi drejtpërdrejt se energjia, uji dhe telekomunikacioni amerikan do të ishin objektivat e radhës.
“Së shpejti, Shtetet e Bashkuara do të dëshmojnë ngjarje të papritura dhe kritike në industritë e energjisë, ujit dhe telekomunikacionit”, thuhej në mesazh.
Grupi nuk paraqiti prova se kishte arritur të depërtonte me sukses në këto sisteme. Megjithatë, kërcënimi është marrë seriozisht për shkak të përshkallëzimit të konfliktit dhe precedentëve të muajve të fundit.
Paralajmërimi erdhi në të njëjtën kohë kur ushtria amerikane njoftoi goditjen e raketahedhësve iranianë në ishullin strategjik të Larakut. Sipas Pentagonit, forcat iraniane po përgatiteshin për vendosjen e minave detare në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme të transportit të naftës në botë.
Shqetësimi amerikan nuk është vetëm teorik. FBI-ja konfirmoi muajin e kaluar se po heton një seri sulmesh kibernetike kundër impianteve komunale të ujit në të paktën shtatë shtete amerikane. Sulmet nuk shkaktuan ndërprerje të furnizimit apo ndotje në shkallë të gjerë, por sipas NBC News dyshohet se pas tyre qëndrojnë aktorë iranianë.
Vetëm në Minesota raportohet se janë shënjestruar më shumë se 30 njësi komunale. Gjatë korrikut, sistemet e më shumë se 100 objekteve të ujit dhe ujërave të zeza u vunë në objektiv, kryesisht përmes pajisjeve të automatizuara të lidhura drejtpërdrejt me internetin.
Autoritetet amerikane kanë paralajmëruar prej javësh se aktorë të lidhur me Iranin po kërkojnë pajisje të cenueshme që përdoren për menaxhimin e infrastrukturës. Më 21 gusht, Agjencia Amerikane e Sigurisë Kibernetike dhe Sigurisë së Infrastrukturës, CISA, u kërkoi organizatave që administrojnë infrastrukturë kritike të forcojnë urgjentisht sigurinë e sistemeve të aksesit në distancë.
NBC raporton gjithashtu se dyshimet për operacione iraniane nuk kufizohen vetëm në SHBA. Në korrik, një sulm kibernetik nxori jashtë funksionit për katër ditë një termocentral britanik. Një zyrtar perëndimor i tha medias amerikane se Irani dyshohej se qëndronte pas sabotimit.
Një tjetër problem është gjendja e vetë infrastrukturës amerikane. Shumë impiante, veçanërisht ato më të vogla, vazhdojnë të përdorin kompjuterë dhe sisteme të vjetruara. Për shkak të mungesës së personelit, një pjesë e pajisjeve industriale janë të lidhura me internetin për t’u kontrolluar në distancë, duke krijuar pika të mundshme hyrjeje për hakerët.
Burimi: botasot.info

