Kuvendi do të mblidhet sot në orën 10:00, në një seancë plenare me 18 pika në rendin e ditës. Në fokus janë katër interpelanca me ministra, reforma administrativo-territoriale, si dhe një sërë projektligjesh që prekin sektorë të ndryshëm.
Seanca do të nisë me miratimin e procesverbalit të mbledhjes së 5 tetorit dhe njoftimet. Më pas do të zhvillohet një interpelancë urgjente me ministrin e Punëve të Brendshme, Ervin Demo, e kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
Në vijim janë parashikuar tre interpelanca të tjera. Dy prej tyre janë me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, të kërkuara respektivisht nga deputetët Ermal Pacaj dhe Tedi Blushi. Interpelanca e katërt është me ministrin e Financave, Petrit Malaj, e kërkuar nga deputeti Tedi Blushi.
Një prej pikave kryesore të seancës është projektligji “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, që pritet të jetë një nga çështjet me më shumë interes në Kuvend.
Në rendin e ditës janë përfshirë gjithashtu projektligji për ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, marrëveshja me Maqedoninë e Veriut për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar dhe kryerjen e kontrolleve të përbashkëta, si dhe ndryshime në ligjet për bankat dhe sistemin e pagesave.
Deputetët do të shqyrtojnë edhe ndryshime në ligjin për mbrojtjen e mjedisit, projektligjin për treguesit gjeografikë për produktet artizanale dhe industriale, si dhe ndryshime në legjislacionin për markat tregtare, patentat, modelet e përdorimit dhe certifikatat e mbrojtjes shtesë.
Një tjetër pikë e rëndësishme është projektvendimi për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a., lidhur me marrëveshjet e bashkëpunimit, prodhimin, importin, eksportin dhe tregtimin e armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake.
Në fund të seancës do të shqyrtohet edhe një projektvendim për ndryshime në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit, ndërsa deputetët do të kenë mundësi të diskutojnë edhe për çështje jashtë rendit të ditës.
Burimi: botasot.info


