Sot nga ora 13:30, në Prekaz të Epërm, në varrezat e lagjes Bregaj, do të organizohet ceremonia e rivarrimit të Sinan Dautit, i zhdukur gjatë luftës, i cili më 12 prill 1999 u plagos rëndë nga forcat serbe dhe dy ditë më pas ndërroi jetë në Mitrovicë, si pasojë e plagëve.
Sipas Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, gjatë këtyre viteve, familja nuk kishte asnjë informacion për fatin dhe vendndodhjen e tij.
Pas një procesi të gjatë kërkimi dhe përpjekjeve të pandërprera ndër vite të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Drejtorisë së Policisë për Hetimin Krimeve të Luftës-Sektorit për Persona të Zhdukur, si dhe me përkrahjen e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, mbetjet mortore të Sinan Dautit, janë gjetur në varrezat e Suhodollit në Mitrovicë, ndërsa identifikimi është realizuar së fundmi nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.
Ceremonia e rivarrimit organizohet sipas kërkesës së familjes, me përkrahje të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Komunës së Skenderajt.
“Me këtë rast, në këtë moment të rëndë për familjen, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen Dauti.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe institucionet tjera të angazhuara në këtë proces, mbeten të përkushtuara në vazhdimin e përpjekjeve për zbardhjen e fatit të të gjithë personave të zhdukur dhe për të garantuar të drejtën e familjeve për të vërtetën” thuhet në njoftimin e Komisionit.
Burimi: botasot.info


