Zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali, në një deklaratë për Alsat garanton se sistematizimi në Ministrinë e Punëve të Brendshme nuk do ta prekë nivelin e përfaqësimit të shqiptarëve. Procesi, sipas Sali zhvillohet në mënyrë transparente, ndërsa çdo vendim merret pas konsultimeve të nevojshme profesionale dhe në interes të qytetarëve dhe efikasitetit të institucionit.
“Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat është kategori kushtetuese dhe për këtë nuk duhet të ketë asnjë dilemë as për shqiptarët dhe as për bashkësitë e tjera etnike. Sa i përket kësaj çështjeje, është e rëndësishme të theksohet se nuk bëhet fjalë për cenim të përfaqësimit, por për një riorganizim të brendshëm që nuk e vë në diskutim këtë parim”, deklaroi Bekim Sali, Zëvendëskryeministër i parë.
- Sistematizimi në MPB, nuk i prek pozitat shqiptare
- Procesi i sistematizimit zhvillohet në mënyrë transparente
Madje, Sali thekson se me këtë proces, shqiptarët do të kenë avancim në pozita.
“Për herë të parë zëvendësdrejtori i Byrosë për Siguri Publike me ligj është funksionar i emëruar nga qeveria (njëjtë sikur drejtori), me kompetenca të plota sikur drejtori; Saraji për herë të parë do të ketë stacion policor; ndihmësi i kryeshefit në SPB Shkup avancohet në Kryeshef Sektori; vazhdojnë me punë ndihmësat e kryeshefave të SPB-ve; vazhdojnë me punë të gjitha NJPB-të; Dhe njëkosisht propoganda e BDI-së për Dibrën është thjesht një propagandë e zezë dhe e kot sepse Njësia për Punë të Brendshme Dibër ngelet njëjtë dhe Stacioni policor i Dibrës ngelet i kategorisë së parë, ndërsa kryeshefi dhe komandanti do të kenë ingerenca të shtuara në krahasim me të kaluarën”, tha Bekim Sali, Zëvendëskryeministër i parë.
- Shqiptarët me sistematizimin avancohen në pozita
- Saraji bëhet me stacion policor, Dibra nuk preket
Sipas paralajmërimeve të ministrit të Brendshëm, me sistematizimin e ri do të shkurtohen rreth 38% e pozitave drejtuese në MPB me qëllim që të rritet efikasiteti. Toshkovski dje demantoi pretendimet e BDI-së se ky proces godet pozitat ku aktualisht udhëhiqen nga shqiptarët. /Alsat.mk/
Burimi: alfax.mk


