Shqipëria U-18 e basketbollit të djemve ka shënuar një tjetër rezultat zhgënjyes në Divizionin C të Kampionatit Europian, event që po zhvillohet në Tiranë që prej datës 19 korrik.
Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Klaudio Ndoja pësuan humbjen e dytë radhazi në Grupin B, teksa mbrëmjen e djeshme u mposhtën nga Luksemburgu në shifrat 57-59 (17-12, 14-16, 17-15, 9-16).
Një ndeshje e luftuar, të cilën e Shqipëria e udhëhoqi në pjesën më të madhe të kohës, duke prekur deri në 10 pikë avantazh në periodën e dytë dhe të tretë, por kuqezinjtë u shthurën në çerekun e fundit, duke zhbërë gjithçka.
Një humbje që e komplikon ndjeshëm situatën në grup dhe shpresat për një vend në zonën e medaljeve për ekipin tonë. Për sa u përket paraqitjeve individuale, për Shqipërinë në ndeshjen e djeshme u dalluan Skendi Sinani, autor i 16 pikëve dhe 11 kërcimeve si dhe Genti Nilo me 18 pikë, 4 kërcime dhe 2 asistime.
Mbrëmjen e nesërme në orën 19:30 në sallën “Feti Borova”, kuqezinjtë do të luajnë takimin e fundit në grup, kundër Andorrës.
Burimi: botasot.info


