shporta e konsumit mbi 58 000 denare sindikatat kunder shkurtimit te festave shteterore 6adf7ab3bf870

Shporta e konsumit mbi 58.000 denarë, sindikatat kundër shkurtimit të festave shtetërore

October 26, 2026
min lexim

Shporta mesatare e konsumit për një familje katër anëtarëshe në shtator ka kushtuar 58.117 denarë, që është për 358 denarë më pak krahasuar me gushtin, por për 1.736 denarë më shumë në raport me janarin. Këtë e bëri të ditur sot ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, pas mbledhjes së Këshillit Ekonomiko-Social.

Në mbledhje është diskutuar edhe për ndryshimet e mundshme që lidhen me ditët jopune, punën të dielave dhe pagesën për orë pune, por nuk janë paraqitur propozime konkrete.

Durmishi tha se përllogaritja e shportës nga Ministria synon të ofrojë një pasqyrë të verifikueshme, transparente dhe të bazuar në statistika për shpenzimet e familjeve.

“Qëllimi ynë nuk është të paraqesim një shifër më të ulët, por të sigurojmë një pasqyrë të verifikueshme, transparente dhe të bazuar në statistika për shpenzimet e familjeve. Për shtatorin e vitit 2026, shporta mesatare e konsumit e Ministrisë arrin në 58.117 denarë për një familje katër anëtarëshe. Ajo është ulur për 358 denarë, përkatësisht 0,6 për qind krahasuar me gushtin. Por, në krahasim me janarin, është rritur për 1.736 denarë, përkatësisht 3,1 për qind. Ne i ndjekim me kujdes si lëvizjet afatshkurtra, ashtu edhe presionin mbi buxhetet familjare”, deklaroi Durmishi.

Ai sqaroi se përllogaritja përfshin 11 kategori dhe 101 produkte ushqimore. Për këtë qëllim përdoren të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave për tetë qytete, çmimet nga 23 tregje për pemë dhe perime, si dhe çmimet nga pesë zinxhirë të mëdhenj dhe tre rajonalë të tregtisë.

Sipas ministrit, dallimet më të mëdha vërehen te ushqimi dhe pijet, veshmbathja dhe këpucët, arsimi, banimi dhe shpenzimet komunale. Ndërkaq, në kategori si mirëmbajtja e amvisërisë, rekreacioni dhe kultura, përllogaritja e Ministrisë është më e lartë.

Sa u përket kontrolleve inspektuese, Durmishi theksoi se kontrollet e rregullta të Inspektoratit Shtetëror të Tregut deri më tani nuk kanë zbuluar rritje të marzheve tregtare.

“Shumë herë kemi thënë se inspektimet kontrollojnë marzhet e tregtarëve. Nëse gjatë kontrolleve konstatohet se marzhet janë rritur mbi 10 ose 15 për qind, kemi masa administrative me të cilat ndërhyjmë, përkatësisht, ashtu si edhe në periudhën e kaluar, miratojmë masa për kufizimin e marzheve. Kontrollet e deritanishme, të cilat kryhen çdo tre muaj, nuk kanë zbuluar keqpërdorime të tilla”, tha Durmishi.

Ai shtoi se, nëse gjatë kontrolleve të tjera konstatohet shkelje e ligjeve nga tregtarët, prodhuesit apo distributorët, do të shqiptohen gjoba. Sipas tij, deri më tani nuk është konstatuar rritje e marzheve nga tregtarët, veçanërisht në këtë periudhë të krizës globale.

Durmishi bëri të ditur se inflacioni është 2,7 për qind dhe paralajmëroi se, në rast të rritjes së jashtëzakonshme të çmimit të naftës dizel, Qeveria do të ndërhyjë sërish përmes akcizave dhe taksave.

Duke iu përgjigjur pyetjes për kërkesat e sindikatave lidhur me pagën minimale, ministri tha se kjo çështje nuk ishte në rend dite këtë muaj. Megjithatë, ai paralajmëroi se pas Vitit të Ri, me mbështetjen e Bashkimit Evropian në kuadër të Agjendës së Reformave, do të nisë hartimi i një shporte minimale të konsumit, si dhe i shportave të veçanta për studentët, pensionistët dhe lloje të ndryshme të familjeve.

Për iniciativat e odave ekonomike lidhur me pagesën për orë pune dhe festat, ministri tha se nuk kishte propozime konkrete dhe se të drejtat e fituara të punëtorëve duhet të ruhen.

Kryetari i Konfederatës së Organizatave Sindikale të Maqedonisë, Marjan Risteski, deklaroi se sindikatat janë njëzëri kundër kërkesave të punëdhënësve për shkurtimin e numrit të festave.

“Ne si sindikatë e kuptojmë pozitën e Odës Ekonomike dhe të punëdhënësve. Megjithatë, si sindikata, mund të them se të gjithë pajtohemi që nuk jemi dakord me ndryshime të tilla. U propozua që ata të paraqesin konkretisht se cilat festa do të ishin të pranueshme dhe cilat jo, veçanërisht kur bëhet fjalë për festat fetare. Atëherë lind problemi, sepse disa punonjës vijnë në punë, ndërsa të tjerët jo. Problem paraqitet edhe kur festa bie të dielën, pasi pagesa nuk llogaritet në të njëjtën mënyrë. Presim që të paraqitet një zgjidhje konkrete, me gjasë në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Ekonomiko-Social”, deklaroi Risteski.

Ai u bëri thirrje punëtorëve të organizohen sindikalisht dhe që në çdo kompani të nënshkruhen marrëveshje kolektive. Risteski theksoi se në mbledhje nuk është diskutuar për pagën minimale.

Sa i përket përllogaritjes së shportës së konsumit, ai theksoi se në të duhet të përfshihet edhe shpenzimi për qira.

“Qiraja duhet të përfshihet. Është e pakuptueshme ajo që po ndodh me qiratë dhe hapësirat e banimit në Maqedoni. Duhet të ndërmerren hapa konkretë, sepse gjendja është shumë e vështirë, veçanërisht për të rinjtë në vend. Të gjithë kemi fëmijë dhe e dimë se si është. Në ditët e sotme është shumë e vështirë të sigurohet një banesë në pronësi. Kësaj çmendurie duhet t’i vihet fund”, tha ai.

Risteski shtoi se mbeten të hapura edhe çështjet që lidhen me Ligjin për Marrëdhëniet e Punës, punësimet me afat të caktuar dhe keqpërdorimet përmes largimit nga puna para skadimit të kontratave, me qëllim shmangien e pagesës së regresit për pushim vjetor (K-15).

Burimi:TV21

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

ulen cmimet e derivateve te naftes ne maqedoni 6adf6081d116e
Lajmi i mëparshëm

Ulen çmimet e derivateve të naftës në Maqedoni

pas renies se vuciqit ky eshte paralajmerimi i serwer 6adf7b2861974
Lajmi i radhës

Pas rënies së Vuçiqit, ky është paralajmërimi i Serwer

Të fundit nga

​Shqipëri, inflacioni 2,9% në shtator

Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi se Shqipëria regjistroi një normë inflacioni prej 2,9% në shtator, më e ulët se mesatarja e Bashkimit Evropian. Në një postim në rrjetet sociale, Malaj theksoi
ShkoLartë