Rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit ka hapur debate të reja brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku një pjesë e anëtarësisë e ka cilësuar performancën e partisë si zhgënjyese dhe pa rritje të dukshme krahasuar me zgjedhjet e mëparshme.
Këto reagime kanë nxjerrë në pah pakënaqësi të akumuluara brenda strukturave të partisë dhe kanë shtuar pyetjet për drejtimin e saj politik në të ardhmen.
Në lidhje me këtë çështje, për “Bota sot” foli Blerim Burjani, i cili u shpreh se disa individë në LDK janë kundër Abdixhikut dhe kryesisë së partisë.
Madje, ai vlerëson se edhe rikthimi i Vjosa Osmanit dhe rezultati zgjedhor jo shumë i ndryshëm nga ai i kaluar kanë shtuar pakënaqësitë.
“LDK po ballafaqohet me disa pakënaqësi të brendshme. Ka disa individë që reagojnë jashtë vullnetit të kryesisë dhe janë kundër Lumir Abdixhikut. Ata kanë vërejtje për çështjen e rikthimit të Vjosa Osmanit pas krejt asaj që ka ndodhur. Rezultati zgjedhor nuk tregoi ndonjë sukses të madh që mund të cilësohet si progres i rëndësishëm, por megjithatë një përparim i caktuar ka ndodhur.”
Sa i përket mundësisë që të ketë zgjedhje të brendshme në këtë parti, Burjani tha se LDK nuk ka kandidat që mund të cilësohet si lider i pranueshëm për shumicën.

Për këtë, ai konsideron se partia është në krizë për liderë, por jo për ambicie për ta rrëzuar Abdixhikun.
“Mund të ketë kërkesa për një Kuvend të jashtëzakonshëm, por LDK-ja nuk ka ndonjë kandidat që mund të cilësohet si lider i ri, i plotfuqishëm dhe i pranueshëm për shumicën e partisë. Vështirë se LDK-ja mund të ketë aktualisht një kandidat për kryetar që do të konsiderohej shpresë apo kthesë për partinë në zgjedhjet e ardhshme.
Natyrisht, zërat individualë që dalin në opinion nuk i bëjnë mirë LDK-së. Duhet të mendohet qartë nëse ia vlen të zgjidhet një lider i ri dhe cili prej tyre do të mund ta merrte këtë përgjegjësi. Sipas mendimit tim, ky subjekt është në krizë për liderë, por jo për ambicie për ta rrëzuar Lumir Abdixhikun.”
Në fund, ai përmendi edhe mundësinë që Përparim Rama të bëhet kryetar i LDK-së, por sipas tij ai nuk identifikohet plotësisht me strukturat tradicionale të LDK-së.
“Pra, ka individë të pakënaqur, por nuk duket në opinionin publik se ka një numër të madh njerëzish të pakënaqur brenda këtij subjekti. Përmendet Përparim Rama si një kandidat potencialisht më serioz për lider të ardhshëm, por ai më shumë duket se nuk është i interesuar për një rol të tillë. Për më tepër, ai nuk identifikohet plotësisht me strukturat tradicionale të LDK-së”, përmbylli Blerim Burjani për “Bota sot”.
Burimi: botasot.info


