Astronomët kanë konfirmuar për herë të parë ekzistencën e një vrime të zezë supermasive që lëviz me shpejtësi nëpër hapësirë me shpejtësi të paimagjinueshme, të nxjerrë nga galaktika e saj.
Objekti me një masë të paktën 10 milionë herë më të madhe se Dielli, po lëviz me shpejtësi 954 kilometra në sekondë, duke lënë pas një gjurmë yjesh të sapoformuar me gjatësi 200 mijë vit drite, shkruan Science Alert, përcjell KosovaPress.
Vrima e zezë, e quajtur RBH-1, u vu re për herë të parë në vitin 2023 si një objekt masiv 7.5 miliardë vit drite larg, përpara së cilës po formohet një valë e madhe shoku.
Vëzhgimet pasuese, të udhëhequra nga astrofizikani i Universitetit Yale, Pieter van Dokkum, duke përdorur teleskopin hapësinor James Webb (JWST), kanë konfirmuar tani se RBH-1 po lëviz me shpejtësi përmes skajeve të jashtme të galaktikës së saj drejt hapësirës ndërgalaktike.
Si mund të jetë nxjerrë një objekt kaq masiv nga shtëpia e tij galaktike? Shkencëtarët besojnë se përgjigjja qëndron në një ngjarje të dhunshme kozmike – shtytja gravitacionale që ndodh kur bashkohen vrimat e zeza supermasive.
Edhe pse vrimat e zeza supermasive zakonisht gjenden në qendrat e galaktikave, teoria ka parashikuar për dekada se një perturbim gravitacional mjaftueshëm i fortë mund t’i nxjerrë ato nga ato qendra.
Simulimet kompjuterike kanë sugjeruar që hapësira ndërgalaktike është plot me të arratisur të tillë të padukshëm, por deri më tani nuk ka pasur prova të forta vëzhguese.
Një strukturë e tillë, përfunduan studiuesit, mund të prodhohej vetëm nga një objekt jashtëzakonisht masiv, që lëviz me rreth 954 kilometra në sekondë.
Edhe pse bashkëveprimi gravitacional i tri vrimave të zeza është konsideruar gjithashtu si një shkak i mundshëm, matjet më të sakta tregojnë bashkimin e dy vrimave të zeza supermasive. Gjatë bashkimit të tyre, çlirimi asimetrik i energjisë gravitacionale krijoi një goditje të fuqishme që e lëshoi vrimën e zezë të sapoformuar në hapësirë. Shpejtësia e matur e RBH-1 dhe masa e galaktikës që la pas janë në përputhje të plotë me modelet teorike të procesit.
“Ne e quajmë objektin RBH-1, duke shënuar vrimën e parë të zezë supermasive të konfirmuar që është arratisur”, shkruajnë studiuesit.
Burimi: botasot.info


