Shtetet e Bashkuara përfundojnë të mërkurën, më 30 shtator, tërheqjen e trupave nga Iraku, duke I dhënë fund më shumë se dy dekadave të pranisë ushtarake amerikane në vend. Tërheqja është mirëpritur nga Irani dhe grupet e armatosura aleate të tij, ndërsa zyrtarët irakianë paralajmërojnë për rrezikun e krijimit të një boshllëku sigurie.
Tërheqja bëhet në kuadër të marrëveshjes së vitit 2024 mes Uashingtonit dhe Bagdadit, sipas së cilës koalicioni ndërkombëtar i udhëhequr nga SHBA-ja do të largohej pas përfundimit të misionit kundër grupit militant Shteti Islamik. Pjesa më e madhe e trupave ishte larguar nga bazat në Irak në janar, ndërsa pjesa e mbetur ndodhet në rajonin autonom të Kurdistanit, kryesisht në aeroportin ndërkombëtar të Erbilit.
Irani dhe grupet e armatosura të mbështetura prej tij e kanë cilësuar tërheqjen si fitore, duke thënë se largimi amerikan forcon sovranitetin e Irakut. Ndërkohë, disa ekspertë dhe zyrtarë irakianë paralajmërojnë se largimi mund të rrisë ndikimin e këtyre grupeve në çështjet e sigurisë dhe politikës.
Një tjetër shqetësim është rikthimi i Shtetit Islamik. Zyrtarët irakianë dhe komandantët kurdë thonë se grupi vazhdon të ketë qeliza të fshehta dhe mund të shfrytëzojë mungesën e inteligjencës, mbështetjes logjistike dhe dronëve amerikanë për t’u riorganizuar. Forcat irakiane kanë zbuluar gjithashtu një plan të dyshuar për sulme vetëvrasëse në kohën e tërheqjes.
SHBA-ja pushtoi Irakun në vitin 2003 dhe u tërhoq në fund të vitit 2011, por u rikthye më pak se tre vjet më vonë për të ndihmuar në luftën kundër Shtetit Islamik. Gjatë më shumë se dy dekadave të luftës dhe operacioneve ushtarake, rreth 4 mijë e 500 ushtarë amerikanë humbën jetën në Irak.
Burimi: botasot.info


