“Don’t worry, be happy”! Kështu Nicolas Maduro, lideri i Venezuelës, këndon dhe kërcen ndërsa ushtria amerikane i afrohet gjithnjë e më shumë tokës së vendit të tij.
“Nga Venezuela, ne kërkojmë dhe urdhërojmë që t’i jepet fund ndërhyrjes së paligjshme dhe brutale të qeverisë së Shteteve të Bashkuara”,deklaroi Maduro.
Deklarata e tij vjen pasi forcat amerikane sekuestruan një anije çisternë në brigjet e Venezuelës. Presidenti Donald Trump e konfirmoi një gjë të tillë, duke pohuar se madhësia e mjetit lundrues ishte e konsiderueshme dhe paralajmëroi veprime të tjera.
“Po ndodhin edhe gjëra të tjera. Do t’i shikoni pak më vonë. Do të flasim për veprime të tjera më vonë dhe disa njerëz të tjerë”, tha Trump.
Kjo shënon një përshkallëzim në tensionet mes Uashingtonit dhe Karakasit, ndërsa administrata Trump sinjalizon gjithnjë e më shumë se po kërkojnë rrëzimin e regjimit të Maduros. Pasi publikoi imazhet e operacionit të sekuestrimit, prokurorja e përgjithshme amerikane, Pam Bondi, e quajti anijen “një çisternë nafte të sanksionuar që përdoret për të transportuar karburant nga Venezuela për në Iran”.
Qeveria në Karakas ka dënuar veprimin, duke e konsideruar një akt “piraterie ndërkombëtare”. Presidenti Maduro, më herët theksoi se Venezuela nuk do të bëhet kurrë një “koloni nafte”.
Administrata Trump e akuzon atë si drejtues të një karteli droge dhe për nxitjen e trafikut të lëndëve narkotike përmes anijeve në det. Për këtë janë bërë disa operacione dhe hedhur në erë dhjetëra mjete lundruese. Gjithashtu SHBA ka pozicionuar në Karaibe një fuqi të madhe luftuese, me avionë, luftanije dhe trupa ushtarake.
Burimi: opinion.al


