Seks, gënjeshtra dhe marrëdhënie me njerëz të fuqishëm. Ndërsa Amerika përqendrohet te përmbajtja e “dosjeve Epstein” të reja të publikuara pak ditë më parë, një hetim i New York Times rindërton më në fund origjinën e pasurisë së miliarderit pedofil, deri tani të mbuluar me mister. Për vite me radhë kanë qarkulluar teori konspirative, përfshirë edhe atë që e përshkruante si ish-agjent të shërbimeve sekrete në krye të operacioneve të sofistikuara shantazhi. E vërteta, megjithatë, është shumë më prozaike: mashtrues dhe gënjeshtar, Epstein arriti të hapte rrugën e tij duke vepruar si Anna Sorokin, e cila për vite jetoi në kurriz të shoqërisë së pasur të Manhatanit duke u shtirur si trashëgimtare e pasur.
I etur për para dhe pushtet, ai mashtroi edhe ata që i besuan, duke i bindur të gjithë se ishte “një prej tyre”. Në fakt, kishte lindur në një familje hebreje modeste (babai kopshtar, nëna pastruese) dhe ishte rritur në Coney Island, periferia e largët e Nju Jorkut buzë oqeanit, e famshme për lodrat dhe si skenë e “Luftëtarëve të Natës”.
Rasti i tij vjen në vitin 1976. Jeffrey është 23 vjeç dhe siguron jetesën duke dhënë mësim matematikë dhe fizikë në një shkollë private prestigjioze në Manhattan, Dalton, ndonëse pa diplomë universitare. Aty bie në sy për veshjet e bujshme à la Tony Manero dhe afrimitetin me nxënëset në korridore. Mjafton kjo që drejtuesit e shkollës ta pushojnë nga puna. Por nxënësit e pëlqejnë: po ashtu edhe etërit e tyre. Njëri prej tyre, i bindur se është një gjeni i matematikës, i ndryshon jetën. E takon rastësisht dhe e pyet nëse do të donte të punonte në Wall Street. Epstein pranon dhe prezantohet me mikun e tij: Ace Greenberg, drejtues i lartë i Bear Stearns. Ky magjepset menjëherë nga i riu i varfër, agresiv dhe ambicioz dhe i ofron një vend pune me 25 mijë dollarë në vit (rreth 140 mijë sot), duke ia hedhur në krahë edhe vajzën e tij 20-vjeçare, Lynne. Nuk ka rëndësi që zyra e personelit zbulon shpejt se dy diplomat e pretenduara janë të sajuara. Kur Epstein pranon me sinqeritet: “Nuk do të kisha pasur shanse po të thosha të vërtetën”, ai falet.
Në vitin 1980 Jeffrey është tashmë ortak i ri, fiton 200 mijë dollarë në vit dhe revista Cosmopolitan e vendos në kopertinë si “beqari i muajit”. Historia me Lynne Greenberg ka mbaruar (“gënjen për gjithçka”, ankohet ajo), por ndërkohë ai ka krijuar miqësi me një tjetër drejtues të Bear Stearns, Jimmy Cayne, i cili e prezanton me klientë të pasur, duke marrë në këmbim gra dhe droga. Kur kompania e akuzon se ka shpenzuar në mënyrë të papërshtatshme 10 mijë dollarë për bizhuteri e veshje dhe ka marrë edhe 15 mijë të tjerë për t’ia dhënë hua një ish-miku, Epstein thotë se është “i fyer” nga hetimi i brendshëm dhe nga gjoba prej vetëm 2 500 dollarësh e vendosur falë ndërmjetësimit të Greenbergut, tashmë CEO, dhe jep dorëheqjen. Por vazhdon të shpenzojë shuma të mëdha, deri në lëshimin e shumë çeqeve pa mbulim, të cilat askush nuk i kundërshton.
Duke u shtirur ende si punonjës i Bear Stearns, frekuenton gra të bukura dhe të pasura si socialiten spanjolle Ana Obregón dhe ish-Miss Suedia Eva Andersson. Këto “kredenciale” e çojnë, në vitin 1982, te mashtrimi i tij i parë i madh: i zhvat Michael Stroll-it, CEO i një kompanie fliperash dhe videolojërash, 450 mijë dollarë duke i premtuar një investim në naftë bruto. Sipërmarrësi nuk i merr kurrë më paratë dhe, edhe kur çështja përfundon në gjykatë, Epstein ia hedh pa pasoja. Një gjykatës vendos se ai nuk është personalisht përgjegjës dhe e shpall të pafajshëm.
Ato para bëhen trampolina e tij. Kthehet të bëjë operacione me Bear Stearns me ndihmën e Patricia Schmidt, asistente e shefit me të cilën ka një lidhje dhe që i kalon informacione konfidenciale. Ndërkohë është konsulent i Steven Hoffenbergut, kreu i Towers Financial, një kompani për mbledhjen e borxheve. Së bashku tentojnë madje të blejnë ikoniken Pan American, duke u financuar përmes një skeme të ndërlikuar Ponzi. Por ndërsa miku i tij akuzohet se u ka marrë investitorëve 500 milionë dollarë, Epstein shpëton (pas vetëvrasjes së Hoffenbergut në vitin 2019, ish-ortaku pranon përfshirjen e tij). Ndërkohë ai vazhdon të mashtrojë si në rastin e Stroll-it: tërheq investitorë dhe nuk ua kthen paratë. Në vitin 1990 ka grumbulluar tashmë 15 milionë dollarë. Pikërisht atëherë, gjatë një udhëtimi në Florida, takon Les Wexner-in, CEO të Victoria’s Secret: merr “kartë të bardhë” mbi financat dhe modelet e tij. Pjesa tjetër është histori.
Burimi: opinion.al


