Taulant Seferi luajti një ndeshje në nivel të lartë për Bodrumsporin në Ligën e Parë turke (kategoria e dytë), megjithëse skuadra e tij u mund 4-3 nga Erokspor në javën e 29-të.
Sulmuesi kuqezinjsh shkëlqeu duke dhënë një asist perfekt për rezultatin 2-1 në favor të Bodrumsporit.
Në minutën e 29-të, Seferi kaloi portierin kundërshtar dhe krosoi topin te Hotiç, i cili nuk gaboi përballë portës bosh. Golin tjetër Seferi e shënoi nga penalltia në minutën e fundit shtesë.
Me këtë paraqitje, Seferi ka arritur 14 gola dhe 6 asistime këtë sezon, duke u renditur i gjashti në listën e golashënuesve të Ligës së Parë turke.
Shfaqja e tij e mirë rrit shanset e rikthimit te Kombëtarja e Shqipërisë, me trajnerin Sylvinho që mund ta marrë në konsideratë për ndeshjet e muajit mars.
Burimi: botasot.info


